RAI-t i “ikin valët” pas sulmeve nga Rama dhe Meloni, nuk transmeton pjesën e dytë të investigimit për Shqipërinë

Reportazhi për Shqipërinë i transmetuar një javë më parë nga emisioni “Report” në RAI 3, u bë “mollë sherri” mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe drejtuesve të televizionit.

Në reportazh flitej për të fshehtat e marrëveshjes Shqipëri – Itali për emigrantët, si dhe për korrupionin në vendin tonë dhe lidhjen e mafias dhe trafikantëve të drogës me pushtetin, ku përmendej edhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Ëngjëll Agaçi.

Kreu i qeverisë foli me tone të ashpra kundër drejtuesve të emisionit, teksa kërkoi të telefononte edhe drejtorin e RAI-t, çfarë solli edhe reagimin e fuqishëm të gazetarëve dhe opozitës në Itali.

Autori i emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci, deklaroi se do të kishte edhe një pjesë të dytë të reportazhit, teksa gazetarët në vendin tonë u shprehën se kjo do të ishte edhe më e fortë se e para. Pjesa e dytë e reportazhit ishte parashikuar të transmetohej dje, por e kundërta ndodhi.

Pas asnjë shpjegim zyrtar, emisioni “Report” në RAI 3 nuk e transmetoi pjesën e dytë të shumëpritur nga të gjithë. Ndërkohë, Ranucci në disa replika në “facebook-un” e tij shprehet se emisioni u anulua për shkak se po negociohet për t’i marrë një intervistë kryeministrit Rama.

Kujtojmë se në krah të Ramës dje doli edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila u shpreh se kreu i qeverisë shqiptare po sulmohet vetëm pse ndihmoi Italinë.

Por çfarë transmetoi emisioni “Report” javën e klauar?

Emisioni investigativ “Report” në RAI 3, publikoi një reportazh që zanafillën e pati te marrëveshja mes Ramës dhe Melonit për emigrantët, por që më pas tregonte edhe korrupsionin e madh në vendin tonë, si dhe lidhjet e pushtetit me organizatat kriminale dhe me trafikantët e drogës.

Në reportazh, ish-prokurori Francesco Mandoi, të cilin Rama e mori si këshilltar sapo erdhi në pushtet, tregonte nuk ishte konsultuar asnjëherë me qeverinë shqiptare, edhe pse kishte shumë punë për të bërë kundër korrupsionit. Sipas tij, mafia shqiptare ka përfaqësuesit e saj brenda institucioneve në Shqipëri dhe kushtëzon veprimet e qeverisë.

Lexo edhe“Një nga vendet më të korruptuara”, reportazhi i RAI 3, flet ish-këshilltari i Ramës: Mafia kushtëzon veprimet e qeverisë shqiptare

Përfshirja e Olsi Ramës në laboratorin e Xibrakës dhe trafikun e drogës ishte e përfshirë në reportazh, ku gazetari italian Giorgio Mottola tha se kishte dokumente nga magjistratët italianë që vëllai i kryeministrit shqiptar ka lidhje me narko-trafikantët.

Lexo edheEmisioni investigativ italian për Olsi Ramën: Ka përdorur makinën e kartelit të narko-trafikut në Shqipëri, emri iu fshi nga dosja

Por akuzat më të rënda bien mbi Sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë, Ëngjëll Agaçin, i cili cilësohet si avokati i bosëve të mafias italiane, si dhe kumbari i marrëveshjes së emigrantëve. Gjithashtu, Agaçi akuzohet se ka ndërhyrë që një trafikanti italian t’i dhurojë një tokë buzë detit që kushton miliona gjeneralit që kishte për detyrë të monitoronte nga ajri kultivimin e kanabisit në Shqipëri, por që deklaronte publikisht se ai ishte asgjësuar nga policia, kur të gjithë e dinin se vendi qe i mbushur plot.

Lexo edhe: Investigimi/ Si u korruptua ish-gjenerali italian që trafikanti i dhuroi tokën miliona euro në bregdetin e Vlorës: Ma solli Ëngjëll Agaçi

Këto akuza duket se tronditën kryeministrin Edi Rama dhe pushtetin, me gazetën italiane “La Republicca” që raportoi se Rama kishte telefonuar menjëherë drejtorin e RAI-t, Paolo Corsinin, për t’i kërkuar llogari për ato që thuheshin në reportazh.

“Dje, pavarësisht se kishte shumë për të menduar, ai duhej të dëgjonte edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili u tërbua për episodin e Report për paktin mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët,” shkruan gazeta.

Lexo edhe: La Repubblica: Reportazhi i RAI 3 tërboi Ramën, telefonoi menjëherë drejtorin e televizionit

Pas këtij lajmi, erdhi edhe reagimi i Ramës, i cili pranoi se kishte patur përpjekje për të telefonuar Corsinin, por telefonata nuk ishte zhvilluar. Në reagimin e tij, ai e cilësoi reportazhin si një shpifje kundër Shqipërisë, teksa tha se Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, do të ngrejë padi penale ndaj gazetarit.

Lexo edheRama mohon telefonatën me drejtorin e RAI 3 dhe akuzon: Reportazhi, një shpifje skandaloze!

Reagimi i Ramës do të sillte një kundërpërgjigje nga autori i programit “Report” të Rai3, Sigfrido Ranucci, i cili ka paralajmëruar Ramën se të dielën (dje) do të transmetojë edhe përgjigjet që Ëngjëll Agaçi i ka kthyer gazetarëve të RAI 3, ku ka pranuar se ka qenë avokat i trafikantëve të drogës.

Lexo edheAutori i “Report” paralajmëron Ramën: Do publikojmë edhe përgjigjet e Ëngjëll Agaçit, ka pranuar se ishte avokat i bosëve të drogës

Madje, RAI 3 ka publikuar edhe bisedën me Agaçin, ku ky i fundit e pranon se në kohën kur ishte avokat dhe jo i punësuar në institucionet shtetërore, ka mbrojtur edhe trafikantët e drogës.

Lexo edheZbulohet letra e Engjëll Agaçit për RAI 3: Si avokat kam ndihmuar ish klientë të përfshirë në trafik droge

Por Rama nuk do ta mbyllte me kaq, pasi ka bërë edhe një tjetër reagim, ku vijon të hedhë akuza ndaj televizionit italian, pasi sipas tij, gazetari ka thënë se Ëngjëll Agaçi nuk është përgjigjur, ndërsa më pas thotë se Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë ka pranuar me shkrim ato që thotë emisioni.

Lexo edheEdi Ramës “nuk i del e keqja” me RAI 3: Të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh është djallëzore