Emisioni investigativ italian për Olsi Ramën: Ka përdorur makinën e kartelit të narko-trafikut në Shqipëri, emri iu fshi nga dosja

Nga hetimet e prokurorisë në vititn 2016, rezulton se Olsi Rama ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar. Kështu thotë emisioni investigativ “Report” në RAI 3, që publikon edhe fotot e vëllait të Edi Ramës.

Në reportazhin për Shqipërinë përmendet çështja e vëllait të kryeministrit shqiptar, që u denoncua disa ditë më parë nga Gazment Bardhi, si i përfshirë në grupin e narkotrafikut dhe laboratorin e Xibrakës.

Por sipas këtij reportazhi, Olsi Rama jo vetëm që nuk u mor kurrë në pyetje, por edhe emri i tij u fshi nga dosja hetimore.

“Disa hije arrijnë deri tek vëllai i kryeministrit Edi Rama. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë në 2016-ën që emisioni “Report” i publikon ekskluzivisht më poshtë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë tashmë gjykuar dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë. Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësore” – thuhet në dokumentin e emisionit “Report” të RAI 3 që ka publikuar edhe fotot e Olsi Ramës.

Ndëkrohë, emisioni ndalet edhe te roli i mafias shqiptare, në një shtet që konsiderohet me korrupsion shumë të madh. Sipas “Report”, mafia shqiptare bashkëpunon me N’Drangheta, si dhe është e përhapur edhe në Amerikën e Jugut, e aftë të trafikojë në Itali tonelata kokaine.

“Mafia shqiptare është e fortë sepse vjen nga shtet ku ka një korrupsion të përhapur. Kështu organizatat kriminale që vijnë nga Shqipëria janë menjëherë të pasura, të forta dhe të pushtetshme. Mafia shqiptare tashmë është strukturuar dhe ka arritur të punojë në bashkëpunim me N’Drangheta. Ka disa vite që e shohim edhe në Amerikën e Jugut dhe është e aftë që edhe në mënyrë të pavarur të sjellë në Itali dhe në Europë tonelata kokaine”, thotë Nicola Gratteri prokuror i Napolit.