Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor ka vendosur shtimin e masave të sigurisë fizike për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.
Burime për mediat bëjnë me dije se vendimi është marrë nga struktura e përbërë nga përfaqësues të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe institucioneve të tjera të sigurisë, të cilët kanë miratuar rritjen e nivelit të mbrojtjes për gjyqtaren.
Dyshohet se gjyqtarja e GJKKO është kërcënuar, e për pasojë janë shtuar masat e sigurisë ndaj saj.
Gjoka ka pasur edhe më herët mbrojtje, jo vetëm për shkak të detyrës që kishte si zv/kryetare e Gjykatës së Posaçme, por edhe si relatorë e çështjeve të forta dhe të njohura publikisht.
Aktualisht, nga komisioni ka ruajtje të veçantë nga shteti gjyqtarja Gentian Muça, pasi në automjetin që e përdorte ajo dhe bashkëshorti i saj prokuror u vendos tritol gati pesë vjet më parë.
Si edhe ish-gjyqtari i Shkodrës Tonin Stërkaj, në banesën e të cilit hodhën tritol dhe autorët nuk janë gjetur ende.