“Një nga vendet më të korruptuara”, reportazhi i RAI 3, flet ish-këshilltari i Ramës: Mafia kushtëzon veprimet e qeverisë shqiptare

Emisioni investigativ “Report” në Rai 3 në Itali, i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë, ku përveç marrëveshjes për emigrantët, flet edhe për korrupsionin në Shqipëri.

“Sipas Transparency International, Shqipëria renditet si një nga vendet më të korruptuara në Europë. Një rekord i trishtë i mbajtur prej disa dekadash. Kur sapo kishte ardhur në pushtet, kryeministri Edi Rama kishte emëruar si këshilltar ish-prokurorin italian Francesco Mandoi që për 20 vjet kishte qenë një pikë lidhjeje mes prokurorisë italiane të anti-mafias dhe dhe prokurorisë shqiptare”, thuhet në reportazh.

Por në intervistën për emisionin “Report”, ish-prokurori Francesco Mandoi hodhi akuza se nuk ishte konsultuar asnjëherë me qeverinë shqiptare, edhe pse kishte shumë punë për të bërë kundër korrupsionit. Sipas tij, mafia shqiptare ka përfaqësuesit e saj brenda institucioneve në Shqipëri dhe kushtëzon veprimet e qeverisë.

“Nuk pati zhvillime të mëdha të ndonjë konsulence. Këshilltar në letra, por nuk më dëgjuan kurrë. Nuk më telefonuan kurrë edhe pse kishte shumë punë për të bërë. Anëtarët e mafias shqiptare apo narkotrafikantët kanë përfaqësuesit e tyre brenda institucioneve dhe kanë mundësi për të kushtëzuar veprimet e qeverisë”, thotë ish këshilltari i Edi Ramës, prokurori i antimafias italiane Francesco Mandoi.