Deputetja e pavarur e qarkut Shkodër, Marjana Koçeku, ka reaguar ashpër ndaj ministrit Ervin Demo, pas deklaratave të tij lidhur me zgjerimin e zonave prioritare në kuadër të Paketës së Maleve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku i ka kërkuar ministrit të japë dorëheqjen, duke e bërë përgjegjës politik për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë drejtimit të Ministrisë së Brendshme.
“Ministri Ervin Demo ma së pari duhet me dhanë dorëheqje për dhunën e ushtrueme ndaj protestuesve në krye të detyrës si ministër i Brendshëm. Nji ministër robot, pa kurrfarë empatie dhe humaniteti brenda vetes”, shprehet deputetja.
Koçeku ka kundërshtuar gjithashtu Paketën e Maleve, duke përdorur një lojë fjalësh me mbiemrin e ministrit për të shprehur qëndrimin e saj.
“Sot paska dalë me u shprehë për Paketën e Maleve në Shkodër. Jo Demo, por edhe dem me qenë, nuk kalon ajo paketë malesh në malësitë tona!”, përfundon reagimin deputetja e Shkodrës.