La Repubblica: Reportazhi i RAI 3 tërboi Ramën, telefonoi menjëherë drejtorin e televizionit

Gazeta prestigjioze italiane, La Repubblica, ka treguar se kryeministri Edi Rama është tërbuar nga reportazhi i RAI 3 për marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë për emigrantët dhe publikimin e skandaleve që kanë ndodhur në Shqipëri.

Sipas kësaj gazete, Rama ka telefonuar menjëherë drejtorin e RAI-t, Paolo Corsinin, për t’i kërkuar llogari për ato që thuheshin në reportazh.

“Dje, pavarësisht se kishte shumë për të menduar, ai duhej të dëgjonte edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili u tërbua për episodin e Report për paktin mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët,” shkruan gazeta.

Reportazhi i emisionit investigativ “Report” në RAI 3 tregonte për lidhjet e pushtetit në Shqipëri me mafian dhe drogën. Gjithashtu në reportazh tregohej përfshirja e Olsi Ramës në grupin kriminal të laboratorit të Xibrakës, lidhja e Saimir Tahirit me grupin e Habilajve, si dhe çështjen Ahmetaj.

“Sipas Transparency International, Shqipëria renditet si një nga vendet më të korruptuara në Europë. Një rekord i trishtë i mbajtur prej disa dekadash. Kur sapo kishte ardhur në pushtet, kryeministri Edi Rama kishte emëruar si këshilltar ish-prokurorin italian Francesco Mandoi që për 20 vjet kishte qenë një pikë lidhjeje mes prokurorisë italiane të anti-mafias dhe dhe prokurorisë shqiptare”, thuhet në reportazh.

Por në intervistën për emisionin “Report”, ish-prokurori Francesco Mandoi hodhi akuza se nuk ishte konsultuar asnjëherë me qeverinë shqiptare, edhe pse kishte shumë punë për të bërë kundër korrupsionit. Sipas tij, mafia shqiptare ka përfaqësuesit e saj brenda institucioneve në Shqipëri dhe kushtëzon veprimet e qeverisë.

“Nuk pati zhvillime të mëdha të ndonjë konsulence. Këshilltar në letra, por nuk më dëgjuan kurrë. Nuk më telefonuan kurrë edhe pse kishte shumë punë për të bërë. Anëtarët e mafias shqiptare apo narkotrafikantët kanë përfaqësuesit e tyre brenda institucioneve dhe kanë mundësi për të kushtëzuar veprimet e qeverisë”, thotë ish këshilltari i Edi Ramës, prokurori i antimafias italiane Francesco Mandoi.