Aldo Bare, i dënuar me burgim të përjetshëm si drejtues i “bandës së Lushnjës”, ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon uljen e dënimit përmes përfitimeve ligjore të njohura për të dënuarit.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Lartë, Bare kërkon uljen e dënimit me 45 ditë për vitin 2018, duke u mbështetur në kuadrin ligjor që mundëson reduktimin e dënimit për sjellje të mirë apo angazhim në aktivitete gjatë vuajtjes së dënimit. Çështja do të shqyrtohet nga një kolegj penal, me gjyqtar relator Sandër Simonin.
Precedent dhe synimi për përfitime të mëtejshme
Nuk është hera e parë që Aldo Bare tenton të përfitojë nga hapësirat ligjore për uljen e dënimit. Ai ka bërë edhe më parë kërkesa të ngjashme, duke synuar gradualisht të zvogëlojë afatin e vuajtjes së dënimit.
Kjo lëvizje vjen në kohën kur në diskutim publik dhe institucional ndodhet edhe drafti i ri i Kodit Penal, i cili parashikon mundësinë që të burgosurit me dënim të përjetshëm të mund të përfitojnë lirim me kusht, nëse përmbushin disa kritere të qarta ligjore dhe etike.
Nëse drafti i ri hyn në fuqi, mund të hapë rrugën për kërkesa të shumta të ngjashme nga të dënuar me burgim të përjetshëm, përfshirë edhe emra të njohur si Aldo Bare.