Gjyqi ndaj Metës, ish-presidenti kërkon që Rama, Balla dhe Ruçi të thirren si dëshmitarë

Ish-presidenti Ilir Meta ka kërkuar si dëshmitar në gjyqin e tij kryeministrin Edi Rama, ish-kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi, Gramoz Ruçin dhe kreun e grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Mësohet se Meta kërkon thirrjen e Ramës si dëshmitar për ligjin e minierave.

“Do ishte me vlerë të thërrasim një ekspert në fushën e minierave, apo një ekspert të pavarur për të parë, që nga ky ndryshim ligjor sa subjekte kanë përfituar. Për të kuptuar, nëse ishte i nevojshëm a jo. Jeni përballë një fantazie të shfrenuar. Shtëpia këtu, shtëpia aty, pallati këtu pallati atje. Ne kemi jetuar deri më 2008-2009 në banesën e prindërve të bashkëshortes sime. Vendi u dha për pallat dhe prandaj duhet të lëviznim. Jemi vendosur tek blloku, pasi zonja kishte gjetur një okazion. 4 vite kemi qëndruar aty. Ndërtesa ishte me probleme, paçka se vendi ishte i mirë. Unë e kisha të pamundur për të bërë aktivitete sportive. Qëllimi nuk ishte te merrja një vilë. Kërkesa e parë ishte për një apartament afër stadiumit. Kjo për të qenë larg zhurmës së bllokut, plus ato muret ishin të lehta dhe dëgjohej gjithë zhurma e bllokut. Kryetari i Kuvendit ka vetëm një votë. Edhe kur voton kundër një ligji e ka për detyrë funksionale ta firmosë. Për këtë çështje këtu duhet të vijë Edi Rama, duhet të vijë kreu i grupit parlamentar të PS. Kurrë s’kam diskutuar me njeri, as për të marrë shtëpi, as për të lënë shtëpi. Të gjitha janë lidhje absurde, pasi kur nuk ke një fakt, kur nuk ke një sms, kur nuk ke një mail, atëherë do të bësh montazhe”, tha Meta në sallen e gjyqit.

Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë nëse dëshmitarët e propozuar do të thirren për të dhënë deklarime në kuadër të procesit gjyqësor.

Kujtojmë se ndaj Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi rëndojnë akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Monika Kryemadhi është nën masën e “detyrim për paraqitje”.