Aksident tragjik në Athinë, tre të rinj nga Fieri humbin jetën

Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur Glyfadën e Athinës në orët e para të mëngjesit të së enjtes, ku tre të rinj nga Fieri kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 02:00, në kryqëzimin e bulevardit Poseidonos me rrugën Kalypsous. Automjeti me të cilin udhëtonin pesë të rinjtë ka dalë nga rruga dhe është përplasur me murin rrethues të një hoteli.

Përplasja ka qenë fatale për tre prej tyre, ndërsa dy të rinj, të dy 18 vjeç, kanë arritur të mbijetojnë. Ata janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Sipas raportimeve të mediave greke, njëri prej të plagosurve ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia greke po heton rrethanat e aksidentit, ndërsa një nga pistat e ngritura lidhet me një garë të mundshme shpejtësie.

Televizioni grek MEGA raportoi se të rinjtë dyshohet se mund të kenë qenë duke garuar me një automjet tjetër pak para përplasjes. Po ashtu, është ngritur dyshimi se ata mund të kenë qenë duke regjistruar një video për TikTok në momentin kur ndodhi aksidenti.

Nuk përjashtohet mundësia që kamerat e telefonave të kenë regjistruar edhe momentet e përplasjes, por deri tani nuk ka të dhëna zyrtare që e konfirmojnë këtë.

Pavarësisht dyshimeve për përfshirjen e një automjeti të dytë, policia greke nuk ka gjetur ende prova që të vërtetojnë se një tjetër makinë ka qenë pjesë e ngjarjes.

Ekspertët po punojnë për të rindërtuar dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit.