Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me miratimin e projektligjit të ri për pagat e gjyqtarëve.
Në një postim në rrjete sociale, Rama ka ftuar në një tryezë diskutimi përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, me pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, për të diskutuar në lidhje me sistemin e pagave të magjistratëve, në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë.
Sipas Ramës, duhet ta trajtojnë çështjen me “urtësi dhe durim” dhe për të dhënë një shembull dinjiteti shtetëror përpara qytetarëve dhe partnerëve të vendit.
“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave.
Tryeza jonë do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë. Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk do konflikt me gjyqësorin po bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë.
E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”, shkruan ai.