Në Prishtinë po protestohet kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë kundër dënimit me 81 vite burg për lidërët e UÇK-së.
Protesta u thirr nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), e cila ka qenë paqësore, ku u lexuan disa kërkesa, mes tyre dorëheqja e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Kërkesat e lexuara:
Kërkesa nr.1: Shfuqizim ose ndryshim i ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kërkesa nr.2: Shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla
Kërkesa nr.3: Mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që ju duhet krerëve të UCK dhe kombit tonë
Kërkesa nr.4: Angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë
“Sot kur do të duhej të ishim në ditën e dytë të festës po protestojmë. Po protestojmë sepse pafajësia është dënuar me dënime drakonike, ndërkohë kriminelët e luftës dhe njerëzimit, po enden në liri. Ky diskriminim, ky tentim për balancë false për të njëjtësuar viktimën me agresorin po na dhemb deri në palcë. Jemi të dëshpëruar se na është prekur ideali ynë, e po pyesim veten si mban kjo tokë tërë këtë dhimbje, tërë këtë padrejtësi. Si është e mundur të ndodhë gjithë ky inskenim, si nuk u shemb toka, apo çka e shemb këtë tokë tani që këmba e tyre nuk e shkeli tokën e Kosovës? Jemi këtu se po njolloset, përbaltet e tjetërsohet lufta e domosdoshme e një populli që i ishte vjedhur e drejta për liri, e drejta për dinjitet dhe e drejta për jetë mu në shtëpinë e tyre. Po tentoni të vrisni edhe njëherë popullin shqiptar. Çfarë drejtësie është kjo për t’ia lehtësuar barrën xhelatit”, tha një qytetare.
Një tjetër qytetar tha se lufta e UÇK-së ishte e paster dhe per te mbrojtur vendin.
“Nuk kemi nevojë për maska, se luftën e bëjmë pa maska. Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi nuk janë veç emra ata janë simboli i popullit tonë. Lufta e UÇK ishte e pastër, për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Liderët tanë po përballen me një betejë jo për veten, por për popullin tonë. Kemi një mesazh për botën liderët nuk janë vetëm, me të është e gjthë Kosova. E vërteta mund të vonojë, por nuk harron. I presim çlirimtarët në mesin tonë”, tha një qytetar.