Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Vetëm pak orë pasi Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës ligjin për pagat e Magjistratëve, Presidenti Bajram Begaj e ka dekretuar menjëherë.
Edhe pse ligji ka hasur kundërshtime të shumta nga prokurorët dhe gjyqtarët, socialistët zbatuan urdhrin e kryeministrit Rama për ta votuar, teksa këtë urdhër duket e zbatoi më pas edhe Begaj, duke e dekretuar.
Projektligji i miratuar nga shumica parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kjo rritje është kundërshtuar nga magjistratët, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë mbështetur një nivel rritjeje prej afro 80 mijë lekësh.
Çështja lidhet drejtpërdrejt edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë, një vendim që qeveria nuk e ka marrë parasysh, ashtu si shumë vendime të tjera.
NJOFTIMI I PRESIDENCES
Presidenti i Republikës nxorri sot dekretin për shpalljen e ligjit nr. 95/2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, pasi kishte dhënë më parë pëlqimin për hyrjen në fuqi të tij menjëherë.
Presidenti i Republikës dha pëlqimin për hyrjen në fuqi të ligjit menjëherë bazuar në kërkesën e Kuvendit, i cili argumentonte nevojën dhe urgjencën për hyrjen në fuqi menjëherë me faktin se shfuqizimi i dispozitave për pagat e magjistratëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese kishte bllokuar dhënien e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që nga data 1 gusht 2026 e në vazhdim.
Pa hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Thesari i Shtetit nuk mund të çlirojë pagesat për magjistratët.
Qëllimi i Kuvendit ishte që të mundësonte pagesat e Thesarit të Shtetit për gjyqtarët dhe prokurorët që në datën 18 shtator 2026 për pagat e bllokuara që nga data 1 gusht 2026 dhe për ato vijuese. Hyrja në fuqi e ligjit sipas procedurave të zakonshme do ta vononte këtë proces nga 15 deri në 35 ditë. Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit.
Argumentet dhe kundërargumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri.
Hyrja e ligjit në fuqi menjëherë kërkon që Presidenti i Republikës të veprojë menjëherë.
Për Presidentin e Republikës, dhënia e pëlqimit në këtë rast i shërben mbrojtjes së një nevoje akute, me lidhje të drejpërdrejtë me parimin e pavarësisë së gjyqësorit, që është garantimi i standardit të jetesës dhe i qëndrueshmërisë së të ardhurave për të gjithë magjistratët e vendit.