Pagat e magjistratëve, Kuvendi miraton formulën e re me 84 vota

Kuvendi ka miratuar me 84 vota formulën e re për përcaktimin e pagave të magjistratëve, teksa i pranishwm nw Kuvend si rrallwherw ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Projektligji i miratuar nga shumica parashikon një rritje të pagës referuese me rreth 8,500 lekë. Kjo rritje është kundërshtuar nga magjistratët, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë mbështetur një nivel rritjeje prej afro 80 mijë lekësh.

Diferenca mes dy propozimeve është bërë një nga pikat kryesore të debatit, ndërsa çështja lidhet drejtpërdrejt edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e përcaktimit të pagave në sistemin e drejtësisë.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, kryeministri Edi Rama mbrojti formulën e propozuar nga mazhoranca dhe u ndal te raporti mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Rama argumentoi se Gjykata Kushtetuese mund të konstatojë antikushtetutshmërinë e një ligji dhe ta rrëzojë atë, por sipas tij, përcaktimi i formulës konkrete të pagave i takon ligjvënësit.

Kryeministri shprehu gjithashtu kritika ndaj reagimeve të shoqatave të gjyqtarëve dhe ndërveprimit të tyre me trupën gjyqësore, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për funksionimin e institucioneve.

Partia Demokratike e kundërshtoi projektligjin, duke pretenduar se formula e miratuar nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se nuk kishte respektuar afatin e lënë nga Gjykata.

Sipas Bardhit, Kuvendit i ishte dhënë një periudhë katër mujore për të ndërhyrë në legjislacion përpara hyrjes në fuqi të shfuqizimit të dispozitave përkatëse.

KLGJ dhe KLP vendosën që, duke nisur nga 1 gushti, paga referuese të llogaritej mbi bazën e 222,425 lekëve, duke parashikuar edhe 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Kjo mënyrë përllogaritjeje nuk u reflektua në listëpagesat e ekzekutuara nga Ministria e Financave. Ministria argumentoi se përcaktimi i pagave është një çështje që duhet të rregullohet përmes ligjit të miratuar nga Kuvendi.