Vrasja e Kristian Markut/ Autorët dyshohet se janë larguar drejt Kosovës, kërkohet informacion nga INTERPOL

Vrasja e 30 vjeçarit Kristian Marku pak ditë më parë në një atentat mafioz pranë nënkalimit të Novoselës është ende pa një autor.  Mësohet se grupi hetimor ka kërkuar ndihmën e INTERPOL-it për të lokalizuar autorët, të cilët fill pas krimit dyshohet se janë larguar jashtë vendit, konkretisht drejt Kosovës.

Në krim janë përdorur dy makina, njëra prej të cilave u përdor për të realizuar atentatin dhe tjetra për të larguar autorët, të paidentifikuar ende.

Ajo çfarë dihet deri tani është se lëvizjet e Markut janë ndjekur për disa ditë nga autorët.

Ai kishte marrë një automjet me qira në Tiranë, çka sugjeron se lëvizjet e tij ishin nën vëzhgim të vazhdueshëm nga autorët. Sa i takon pistave të hetimit, ato janë të fokusuara te hakmarrje.

Kristian Marku ishte nipi i Martin Bardhit, i vrarë në shtator të vitit 2023 në Rrëshen. Ai kishte precedentë të mëparshëm penal ku përfshihet dhe një akuzë për “vrasje me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe një tjetër akuzë për “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.

Në vitin 2023, Marku u dyshua se u përfshi në një sulm me armë të ndodhur në drejtim të Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit – ky i fundit i vrarë në janar 2020 me snajper në qendër të Rrëshenit. Megjithatë, përfshirja e Markut nuk u provua dhe ai u lirua nga akuzat.