Policia e Shtetit ka ofruar 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione të vlefshme për kapjen e 23-vjeçarit, Azgan Mernica, i cili vrau me plumb në kokë efektivin e ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia, në Baltëz të Fierit.
Ndërkohë shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.
Në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli për të bërë të mundur kapjen e autorit.
Drejtori i Policisë së Fierit Lorenc Panganika ka folur për mediat sa i takon ngjarjes së rëndë, duke thënë se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes autorit dhe viktimës, i cili ishte i veshur me uniform policie, pasi do merrte shërbimin.
Panganika mohoi pistën e hakmarrjes për vrasjen, për të cilën u dyshua fillimisht. Ai po ashtu i bëri thirrje 23 vjeçarit, por edhe familjarëve të tij që të vetëdorëzohet në polici.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Baltëz, ku u vra me armë zjarri, punonjësi i Policisë (jashtë shërbimit), shtetasi N. C., Policia e Shtetit kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e autorit të dyshuar të vrasjes, shtetasit Azgan Mernica, 23 vjeç, banues në fshatin Sulaj.
Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Fierit, Forca Kombëtare e Sigurisë dhe Reparti Special “RENEA”, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, vijojnë veprimet operacionale në zonë, me qëllim kapjen dhe vënien në pranga të 23-vjeçarit.
Gjithashtu, në të gjitha akset rrugore lidhëse me qarkun Fier janë ngritur pika kontrolli.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për të sqaruar dhe dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit”- njofton policia.