EMRAT/ Operacion i SPAK dhe Antimafias Italiane kundër pastrimit të parave, 14 masa sigurie në Shqipëri dhe Itali

Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Antimafian e Barit, ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit një operacion të gjerë kundër një grupi kriminal të dyshuar për pastrim parash.

Sipas burimeve hetimore, janë lëshuar gjithsej 14 masa sigurie. Prej tyre, 10 janë “arrest me burg”, një “arrest shtëpie” dhe 3 masa “detyrim paraqitje”.

Nga masat e “arrestit me burg”, 6 janë ekzekutuar në Itali dhe 4 në Shqipëri.

Në pranga në Shqipëri ka rënë Ergys Kastrati, i njohur ndryshe me nofkën “Bishja”, i cili prej dy vitesh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Bashkë me të janë arrestuar edhe bashkëshortja e tij, si dhe dy shoferë që dyshohet se transportonin para të përfituara nga aktiviteti kriminal. Kastrati u kap në një vilë pranë zonës së TEG-ut, në Tiranë.

Ndërkohë, në Itali masa e sigurisë i është komunikuar edhe Igli Kamberit, i konsideruar si kreu i grupit kriminal. Kamberi ishte arrestuar në korrik të vitit 2025 në Hungari, ku dyshohet për disa vepra të rënda penale, mes tyre edhe vrasjen e një 26-vjeçari në Barletta të Italisë.

Burime bëjnë me dije se pikërisht hetimet për këtë vrasje çuan në zbulimin e rrjetit kriminal dhe skemës së dyshuar të pastrimit të parave. Sipas autoriteteve, paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale në Itali transportoheshin drejt Shqipërisë përmes mjeteve të ndryshme.

Një prej episodeve kyçe të hetimit lidhet me sekuestrimin e mbi 680 mijë eurove në pikën kufitare të Muriqanit. Shuma u kap teksa po tentohej të futej në Shqipëri me automjet dhe dyshohet se i përket grupit të drejtuar nga Kamberi.

Operacioni vijon, ndërsa autoritetet shqiptare dhe italiane po punojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.