Nga partia “anti-sistem”, në pjesë e sistemit “anti-parti”

“Moj zonjë, me kë po flet ti po të them? Unë po të them edhe njëherë: në këtë betejë kemi hyrë për parimet dhe në këtë betejë nuk do t’i ndahemi derisa ta shkërmoqim politikën e vjetër”.

Kështu deklaronte Adriatik Lapaj para zgjedhjeve të 11 Majit, teksa shitej si njeriu që do të shembte sistemin PS-PD. Jo për një mandat, e as për një karrige deputeti, por sipas tij, për të rrëzuar kastën politike 35-vjeçare.

Sot, vetëm një vit më pas, fasada “anti-sistem” ka rënë.

Historia e mandatit të vetëm të “Nisma Shqipëria Bëhet”, që degradoi në telenovelën e tezeve dhe dajove, ishte sinjali i parë se çfarë përfaqësonte kjo politikë e re e trumbetuar fort nëpër emisione televizive.

Por tani duket qartë se projekti “i ri” po përfundon aty ku përfundojnë zakonisht të gjithë ata që kërkojnë të bëjnë revolucion në politikë: nën hijen e partive të vjetra.

Adriatik Lapaj dhe “Shqipëria Bëhet” janë bërë bashkë me Partinë Demokratike për një Kod Zgjedhor që godet drejtpërdrejt partitë e vogla dhe mbron dyshen PS-PD.

Pragu 4% që propozohet nga PD dhe mbështetet nga Lapaj është një gijotinë politike për çdo forcë të re. Nëse këtij i shtohet edhe ideja e PS për uljen e numrit të deputetëve në 101, atëherë Parlamenti shqiptar rrezikon të kthehet zyrtarisht në klub privat të dy partive të mëdha.

Pra, njeriu që premtonte se do të shkërmoqte politikën e vjetër, sot po kontribuon në betonizimin e saj.

Ironia është edhe më e madhe sepse, ndërsa partitë e tjera të vogla rrezikojnë të zhduken nga skena politike, vetë “Shqipëria Bëhet” duket se po kërkon strehim politik nën çadrën e PD-së, për të futur deputetët e saj falë votave demokrate.

Pra, jo më kundër sistemit, por pjesë e pazareve të sistemit.

Në fund, rezulton se “revolucioni” i premtuar përfundoi në një aleancë me politikën e vjetër, teksa shqiptarët po shohin edhe njëherë se si shumë politikanë “anti-sistem” në Shqipëri nuk luftojnë për të rrëzuar sistemin, por vetëm për të zënë një vend brenda tij.

Ndoshta ndaj edhe Ronald Reagan thoshte dikur: “Politika supozohet të jetë profesioni i dytë më i vjetër në botë. Kam kuptuar se i ngjan shumë të parit (prostitucionit)”.