Sot Ditë Zie në Kosovë, në nderim të efektivit Afrim Bunjaku

Dita e sotme është shpallur Ditë Zie në Kosovë, në nderim të Afrim Bunjakut, efektivit të vrarë nga kriminelët serbë në veri të vendit ditën e djeshme.

Bunjaku do të varroset sot me nderime në varrezat e fshatit Samadrexhë, ku pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit, për të nderuar njeriun që dha jetën për mbrojtjen e territoreve të Kosovës.

““Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, njoftoi Presidenca e Kosovës.

Nga sulmi i terroristëve serbë në veri të Kosovës, u plagos edhe një efektiv tjetër. Përsa i përket terroristëve serbë, 3 prej tyre u vranë nga Policia e Kosovës, 2 janë plagosur dhe 6 të tjerë janë arrestuar.