Nga Joschka Fischer “Project Syndicate”
Vizita e fundit e presidentit rus Vladimir Putin në Kinë – udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga “rizgjedhja” në detyrë – nënvizoi një ndryshim të vazhdueshëm në rendin global. Një aleancë e re është shfaqur në kontinentin më të madh të botës, dhe ajo përfshin Kinën, Rusinë dhe Korenë e Veriut.
Ky bllok i ri vendesh autoritare, rezultat i drejtpërdrejtë i luftës së Rusisë kundër një fqinji më të vogël, përfaqëson një zhvillim të madh gjeopolitik, i cili do të ketë pasoja të mëdha në të ardhmen. Kremlini synon të zhdukë nga harta Ukrainën si një vend të pavarur, dhe në fund ta aneksojë atë.
Perëndimi ka reaguar duke vendosur sanksione të forta dhe kufizime tregtare kundër Rusisë, duke çuar në një kolaps thuajse të plotë të marrëdhënieve tregtare dhe eksporteve energjetike ruse në Evropë. Kjo krijoi shansin e artë për Kinën që të mbushte boshllëkun në tregtinë e jashtme të Rusisë.
Për shkak se Kremlini kishte një nevojë urgjente për të ruajtur të ardhurat e tij nga eksporti i energjisë dhe për të financuar luftën e nisur ndaj Ukrainës, Kina (ashtu si India) shfrytëzoi rastin për të importuar hidrokarbure ruse me një ulje të madhe të çmimit.
Por Kina u soll me kujdes që të mos provokonte vendosjen e sanksioneve të reja nga SHBA dhe BE-ja. Ajo nuk dërgoi drejtpërdrejt në Rusi armë dhe teknologji të ndjeshme, që të mos dëmtonte më tej marrëdhëniet e saj tregtare tashmë shumë të tensionuara me Shtetet e Bashkuara.
Kina mbetet shumë e ndërvarur nga Perëndimi – dhe sidomos nga SHBA – për teknologji të nivelit të lartë, dhe liderët e saj nuk duan të rrezikojnë shitjet e kompanive kineze në tregjet perëndimore. Kështu, ajo i është përgjigjur krizës së Ukrainës me një politikë të zbehtë traversale:ka rritur shkëmbimet ekonomike me Rusinë, por duke ruajtur neutralitetin formalnë luftë, dhe duke respektuar “vijat e kuqe” të Perëndimit.
Pas dështimit të ushtrisë ruse për të pushtuar Kievin apo për të arritur shumicën e objektivave të tjera të saj në vitin 2022, lufta ka ngecur në gati gjithë vijën e frontit, duke e vendosur Kremlinin në një konfrontim të intensifikuar me qeveritë perëndimore.
Këto të fundit, e shohin sulmin ndaj Ukrainës si fillimin e një përpjekjeje më të gjerë për të sfiduar hegjemoninë perëndimore. Ndërkohë vetë Putin, e sheh atë si një mënyrë për të rishikuar rezultatin e Luftës së Ftohtë, dhe që Rusia të rifitojë statusin e saj si një fuqi globale.
Por elitat ruse pranë Putinit po e gënjejnë veten, nëse mendojnë se një konflikt me Amerikën dhe aleatët e saj do të rivendosë lavdinë kombëtare. Sepse Rusia nuk ka as potencialin ekonomik dhe as atë teknologjik për të fituar në një përballje të tillë.
Ajo ka vuajtur vite të tëra stanjacioni ekonomik, dhe mbetet ende peng i një deficit të madh në aspektin e modernizimit. Vladimir Putin nuk ka bërë absolutisht asgjë për vendin, përveçse e ka shndërruar në një partner të vogël e të varur të superfuqisë së re kineze.
Ndërsa iluzionet e madhështisë së Vladimir Putinit, janë pa asnjë dyshim në kontrast me politikën më të kujdesshme të Kinës, vizita e tij e fundit në Pekin, tregon se marrëdhëniet Kinë-Rusi po bëhen më të forta. Me shfaqjen e një blloku autoritar në Azinë Veriore, kriza në Ukrainë mund të evoluojë në një përballjeje globale në shkallë të plotë.
Por edhe nëse shmanget diçka e tillë, skicat e një rendi global të ndarë sërish në 2 blloqe të mëdha kundërshtare, janë tashmë shumë të dukshme. Pjesë të mëdha të Jugut Global, do të priren të anojnë nga blloku autoritar i Azisë Veriore, pjesërisht për shkak të gabimeve të dikurshme të vetë Perëndimit, por edhe padijes së gjatë të atyre vendeve.
Brenda këtij grupimi të gjerë, një rol veçanërisht të rëndësishëm do të luajë Irani, duke pasur parasysh rolin e tij qendror në “Boshtin e Rezistencës” në Lindjen e Mesme, por edhe synimin e tij për të pasur një hegjemoni rajonale.
Meqë këto ndryshime po ndodhin në kurriz të Amerikës, ato do ta sfidojnë rolin e SHBA-së si superfuqia kryesore e botës, dhe do ta detyrojnë atë të shtojë angazhimin e saj në dy luftërat aktuale:në Ukrainën dhe Lindjen e Mesme. Në rastin e Lindjes së Mesme, ka që tani shenja se SHBA-ja mund të hyjë në një pakt më të ngushtë sigurie me Arabinë Saudite, një perspektivë të cilën deri dje e kishte refuzuar.
Të marra së bashku, pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, formimi i një blloku autoritar në Azinë Veriore dhe sulmi i Hamasit ndaj Izraelit vjeshtën e vitit të kaluar, duket se i kanë dhënë fund periudhës së tërheqjes amerikane nga skena globale, që nisi pas dështimit të sajnë Irak.
Strategët dhe politikë-bërësit në Uashington, e kanë kuptuar se riorganizimi i vazhdueshëm i botës, ka të bëjë kryesisht me rolin e Amerikës – dhe statusin e saj të ardhshëm – si superfuqia kryesore e botës.
Teksa ka nisur gara e re për dominim në sektorin e Inteligjencën Artificiale dhe të teknologjive të tjera të së ardhmes, ky proces ka lidhje sa me inovacionin, ekonominë, migracionin dhe arsimin, po aq sa edhe me gjeopolitikën. Një rivalitet i ri midis dy sistemeve thelbësisht të ndryshme, po përshkon tani të gjitha nivelet e çështjeve ndërkombëtare.
Shënim:Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm dhe zëvendës/kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005.