Reportazhi që tronditi Edi Ramën!

Marrëveshja për strehimin e emigrantëve afrikanë në Gjadër, ku qeveria italiane do të paguante gjithçka. Erdhi si një “rrufe në qiell të hapur”, si për shqiptarët, ashtu edhe për italianët. Kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij Giorgia Meloni i informuan qytetarët e tyre vetëm pasi kishin rënë dakort për gjithçka dhe duhej vetëm miratimi në Parlamentet respektive e më pas firmosja e marrëveshjes.

Menjëherë pas lajmit, të shumta ishin akuzat e opozitës shqiptare dhe asaj italiane kundër kësaj marrëveshjes, ndërkohë që konfuzion pati edhe në institucionet e Bashkimit Europian, pasi marrëveshja ishte e papritur. Por, si gjithmonë, kryeministri Rama vendosi që të përbuzë të gjitha mendimet e kundërshtarëve politikë dhe të organizatave ndërkombëtare, duke vijuar me miratimin e marrëveshjes, që sot është botuar në Fletoren Zyrtare.

E përsa kohë që në Shqipëri denoncimit e mediave nuk merren për bazë, pavarësisht vërtetësisë së tyre në pjesën dërrmuese, do të duhej një reportazh pak më shumë se 1 orë që të trondiste Edi Ramën dhe njerëzit pas tij.

Emisioni investigativ “Report” në RAI 3, publikoi një reportazh që zanafillën e pati te marrëveshja mes Ramës dhe Melonit për emigrantët, por që më pas tregonte edhe korrupsionin e madh në vendin tonë, si dhe lidhjet e pushtetit me organizatat kriminale dhe me trafikantët e drogës.

Në reportazh, ish-prokurori Francesco Mandoi, të cilin Rama e mori si këshilltar sapo erdhi në pushtet, tregonte nuk ishte konsultuar asnjëherë me qeverinë shqiptare, edhe pse kishte shumë punë për të bërë kundër korrupsionit. Sipas tij, mafia shqiptare ka përfaqësuesit e saj brenda institucioneve në Shqipëri dhe kushtëzon veprimet e qeverisë.

Lexo edhe: “Një nga vendet më të korruptuara”, reportazhi i RAI 3, flet ish-këshilltari i Ramës: Mafia kushtëzon veprimet e qeverisë shqiptare

Përfshirja e Olsi Ramës në laboratorin e Xibrakës dhe trafikun e drogës ishte e përfshirë në reportazh, ku gazetari italian Giorgio Mottola tha se kishte dokumente nga magjistratët italianë që vëllai i kryeministrit shqiptar ka lidhje me narko-trafikantët.

Lexo edhe: Emisioni investigativ italian për Olsi Ramën: Ka përdorur makinën e kartelit të narko-trafikut në Shqipëri, emri iu fshi nga dosja

Por akuzat më të rënda bien mbi Sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë, Ëngjëll Agaçin, i cili cilësohet si avokati i bosëve të mafias italiane, si dhe kumbari i marrëveshjes së emigrantëve. Gjithashtu, Agaçi akuzohet se ka ndërhyrë që një trafikanti italian t’i dhurojë një tokë buzë detit që kushton miliona gjeneralit që kishte për detyrë të monitoronte nga ajri kultivimin e kanabisit në Shqipëri, por që deklaronte publikisht se ai ishte asgjësuar nga policia, kur të gjithë e dinin se vendi qe i mbushur plot.

Lexo edhe: Investigimi/ Si u korruptua ish-gjenerali italian që trafikanti i dhuroi tokën miliona euro në bregdetin e Vlorës: Ma solli Ëngjëll Agaçi

Këto akuza duket se tronditën kryeministrin Edi Rama dhe pushtetin, me gazetën italiane “La Republicca” që raportoi se Rama kishte telefonuar menjëherë drejtorin e RAI-t, Paolo Corsinin, për t’i kërkuar llogari për ato që thuheshin në reportazh.

“Dje, pavarësisht se kishte shumë për të menduar, ai duhej të dëgjonte edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili u tërbua për episodin e Report për paktin mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët,” shkruan gazeta.

Lexo edhe: La Repubblica: Reportazhi i RAI 3 tërboi Ramën, telefonoi menjëherë drejtorin e televizionit

Pas këtij lajmi, erdhi edhe reagimi i Ramës, i cili pranoi se kishte patur përpjekje për të telefonuar Corsinin, por telefonata nuk ishte zhvilluar. Në reagimin e tij, ai e cilësoi reportazhin si një shpifje kundër Shqipërisë, teksa tha se Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, do të ngrejë padi penale ndaj gazetarit.

Lexo edhe: Rama mohon telefonatën me drejtorin e RAI 3 dhe akuzon: Reportazhi, një shpifje skandaloze!

Reagimi i Ramës do të sillte një kundërpërgjigje nga autori i programit “Report” të Rai3, Sigfrido Ranucci, i cili ka paralajmëruar Ramën se të dielën e ardhshme do të transmetojë edhe përgjigjet që Ëngjëll Agaçi i ka kthyer gazetarëve të RAI 3, ku ka pranuar se ka qenë avokat i trafikantëve të drogës.

Lexo edhe: Autori i “Report” paralajmëron Ramën: Do publikojmë edhe përgjigjet e Ëngjëll Agaçit, ka pranuar se ishte avokat i bosëve të drogës

Madje, sot RAI 3 ka publikuar edhe bisedën me Agaçin, ku ky i fundit e pranon se në kohën kur ishte avokat dhe jo i punësuar në institucionet shtetërore, ka mbrojtur edhe trafikantët e drogës.

Lexo edhe: Zbulohet letra e Engjëll Agaçit për RAI 3: Si avokat kam ndihmuar ish klientë të përfshirë në trafik droge

Por Rama nuk do ta mbyllte me kaq, pasi sot ka bërë edhe një tjetër reagim, ku vijon të hedhë akuza ndaj televizionit italian, pasi sipas tij, gazetari ka thënë se Ëngjëll Agaçi nuk është përgjigjur, ndërsa më pas thotë se Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë ka pranuar me shkrim ato që thotë emisioni.

Lexo edhe: Edi Ramës “nuk i del e keqja” me RAI 3: Të gabosh është njerëzore, por të ngulmosh është djallëzore

Duket se beteja mes Ramës dhe emisionit “Report” sapo ka filluar, teksa pritet me shumë kureshtje të shihet se çfarë do të publikojë ky emision të dielën e ardhshme, si dhe cilat do të jenë përgjigjet e kryeministrit Rama.

Gjithçka nisi nga marrëveshja e Ramës me Melonin, për të ardhur deri këtu ku jemi sot, në një “luftë të ftohtë” mes qeverisë shqiptare dhe një televizioni italian. Nëse kujtojmë herën e fundit të “betejës” së Ramës me një televizion, na vijnë ndërmend 135 milionë eurot e fituara nga Francesco Becchetti. Shpresojmë që gjyqi i paralajmëruar nga Rama të jetë individual dhe jo i shtetit, siç janë edhe përgjegjësitë e të korruptuarve që hanë mollë e dardha pas shpinës së tij.