Ditën e djeshme, në podcastin e tij “Flasim”, Edi Rama bëri mbrojtjen e radhës të një tjetër njeriu të tij të besuar, që tashmë ka rënë në rrjetën e drejtësisë.
Kryeministri këtë herë mbrojti Mirlinda Karçanajn, drejtoreshë e AKSHI-t, e cila akuzohet nga SPAK si anëtare e një grupit të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve publikë.
Për Ramën, Linda Karçanaj ishte gruaja që udhëhoqi jetësimin e vizionit të qeverisë së tij “për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë”. Madje, ai hodhi akuza ndaj mediave duke i cilësuar si “700 tenxheret e çorbës politike mediatike”.
Por, problemi i vërtetë i Edi Ramës nuk është Mirlinda Karrçajan, drejtuesja “de juro” e AKSHI-t, problemi i vërtetë është drejtuesi “de facto” i atij institucioni, Ergys Agasi.
Ky i fundit, i cilësuar nga Arben Ahmetaj si ndërmjetësi i Ramës me bandat kriminale, ndodhet në arrati pasi SPAK ka kërkuar “arrest me burg”. Ergys Agasi nuk është një emër i zakonshëm, pasi përgjimit e SPAK dhe videot që ai kishte regjistruar kanë treguar fuqinë e tij të vërtetë.
Ato video tregojnë si Agasi pret e përcjellë në zyrë ministra, deputetë, zyrtarë të lartë të Policisë e deri te anëtarët e bandave kriminale, duke vërtetuar ato për të cilat e akuzonte ish-zv.kryeministri Ahmetaj. Ndërkohë, koleksioni i shisheve të verës miliona euro, që u “arratisën” natën, nxorën në dritë një tjetër akuzë të Ahmetajt.
Ndaj, mbrojtja publike e Ramës për Karçanajn nuk është një rastësi dhe as një keqardhje personale për një bashkëpunëtore të vjetër, por një përpjekje për të mbrojtur imazhin e pushtetit të tij, i cili po tronditet ndërsa drejtësia po afrohet gjithnjë e më shumë me qendrën e pushtetit.
Rama e di shumë mirë se çështja e AKSHI-t nuk mbyllet me një emër të vetëm, pasi kjo çështje shkon përtej një drejtoreshe dhe prek strukturat e vendimmarrjes politike. Prandaj reagimi i tij ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, jo për të mbrojtur institucionin, por për të mbrojtur modelin e pushtetit që ai ka ndërtuar.
Në këtë histori, heshtja për Ergys Agasin është po aq domethënëse sa mbrojtja për Karçanajn. Një figurë që sipas akuzave ka ushtruar pushtet real pa mbajtur asnjë përgjegjësi formale dhe sot ndodhet në arrati, ndërsa Kryeministri zgjedh të mos përmendë as emrin e tij.
Lexo edhe: Si po vërtetohen të gjitha akuzat e Arben Ahmetajt
Më shqetësuese se çdo gjë tjetër është fakti se për vite me radhë, një institucion që administron sistemet digjitale dhe të dhënat e qytetarëve ka qenë, sipas këtyre akuzave nën ndikimin e një strukture informale pushteti. Kjo e kthen “suksesin digjital” të propaganduar nga qeveria në një pikëpyetje të madhe për sigurinë, transparencën dhe besueshmërinë e shtetit.
Në fund, kjo nuk është thjesht një betejë mes Ramës dhe SPAK-ut, apo mes pushtetit dhe mediave. Është një provë për reformën në drejtësi dhe për aftësinë e saj për të shkuar deri aty ku nuk ka shkuar kurrë më parë, te rrethi i ngushtë i pushtetit.