Prej kohësh SPAK ka trazuar qetësinë në Partinë Socialiste, ndërsa “goditja” e fundit ishte marrja e pandehur e numrit dy të qeverisë, zv.kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kjo e fundit akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera” për tunelin e Llogarasë dhe për Unazën e Madhe.
Sa I takon aferës së tunelit të Llogarasë, ishte ish zhv.kryeministri, Arben Ahmetaj, i cili në një intervistë të dhënë nga Arratia për Syri TV, në korrik të 2024 do të denonconte se tenderi i fituar nga kompania shqiptare me një vlerë 140 milionë euro është anuluar dhe pas takimeve në Ankara të Turqisë, i është dhënë tenderi një kompanie turke për 50 milionë euro më shumë, fakt I konfirmuar edhe nga hetimet e Prokurorisë së Posacme.
“Tuneli i Llogarasë është një aferë perse, korruptive. Dmth, një kompani shqiptare shumë dinjitoze ka garuar në tender dhe ka fituar. Ja kanë anuluar. E ka fituar me 140 mln euro. Pasi janë bërë takime në Ankara, le ta zgjasim këtë punën e batutave se do të ju them detaje. I është dhënë tenderi një kombinimi turk … Sipas të gjithave analizave që unë i kam bërë bilancit nuk ka sjellë asnjë makineri. Përsëri punën e ka bërë nënkontraktori prestigjioz Gjokaj. Ama kompania turke, fiton pas taksash, në përllogaritje në referencë të bilanceve kontabël të tyre që unë i kam studiuar me vëmendje, kombinimi turk 32 mln euro. 32 mln pabërë asgjë. Meqë deshët fakte. Meqë më thatë së, dikush thotë që unë nuk kam fakte. Unë nuk jam 007, nuk ka bërë kush deal me mua për 1 mln arsye. Me kë i bën deal i di vetë ai. Le ti urdhërojë të gjithë gangsterët, kriminelët. E di ca i thotë qeverisë, më gjeni patjetër çfarë ka bërë Ben Ahmetaj. E thotë në mbledhje qeverie, ma thonë njerëzit e tij” do të deklaronte Ahmetaj.
Ish numri dy I qeverisë, do të ishte po ai që do të përmendte në media Ergys Agasin, biznesmenin e shpallur në kërkim nga SPAK në lidhje me skandalin e tenderave te AKSHI.
Në një intervistë të dhënë për emisionin “Report” në Rai3, Ahmetaj e cilësoi Agasin si ndërmjetësin e kryeministrit Edi Rama me mafian dhe trafikantët e drogës.
“Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias”, shprehej Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.
Keto ditë ka bërë bujë edhe lajmi për shishet e verës me vlerë miliona euro, që Agasi ruante në kantinën e tij, të cilat u zhdukën brenda natës dhe në kërkim është shpallur Eno Agasi.
Se në shoqërine e kujt I pinte Agasi verërat e shtrenjta apo kujt ia dhuronte, kjo nuk dihet ende, por Ahmetaj, do të ishte ai qe do të tregonte se si i kishte parë Ramën dhe Agasin teksa konsumonin verë me vlerë 33 mijë e 600 euro, një shishe Romanee Conti, deklaratë që u duk si e ekzagjeruar nga ana e Ahmetajt.
“Një ngacmim për të lidhur kopshtin e Edenit me Onkologjikun. Vuajtjen e qytetarëve me kopështin e Edenit me peshqit e kuq si avatarë dhe “Dhoma e luleve” ku pihet kjo lloj vere me koordinatorin e krimit.”
Por deklaratat e Ahmetajt, që një vit më parë do të dukeshin si një ekzagjerim dhe si inat ndaj ish shefit të tij, që nuk i dha “mbrojtjen” që po i jep Ballukut, sot po vërtetohen, edhe pse vet ish numri dy i qeverisë ka llogari të hapura me drejtësinë në vend.