Altin Dumani foli qartë, Prokuroria e Posaçme ka disa problematika që duhet të marrin një zgjidhje urgjente, për të vijuar punën për të cilën është krijuar.
Mungesa e burimeve njerëzore, numri i lartë i çështjeve që duhet të hetojnë dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e institucioneve, sidomos Policisë së Shtetit, e kanë bërë punën e prokurorëve të posaçëm shumë më të vështirë.
Mungesa e burimeve njerëzore ka ardhur si pasojë e pamjaftueshmërisë së financave të SPAK, që pavarësisht se buxhetin për vitin 2024 e ka pak më të lartë, sërish nuk mjafton për të punësuar numrin e punonjësve që duhet për të vijuar punën normalisht.
Dumani ka bërë disa herë thirrje për qeverinë që të rishikohet buxheti i SPAK, por deri më tani nuk ka marrë asnjë shenjë pozitive.
Kreu i SPAK gjatë raportimit dje në KLP bëri një deklaratë të fortë, ku akuzoi se një kategori çështjesh nuk mund të hetohen me punonjësit e Policisë së Shtetit, pasi eksponentë të Policisë, deri në nivele të larta, bashkëpunojnë me krimin e organizuar.
“Po janë një kategori çështjesh që ne nuk mund t’i hetojmë me Policinë e Shtetit, sidomos rastet kur përfshihen punonjës të Policisë së Shtetit.
Hetimet tona kanë treguar që, sidomos në rastet e krimit të organizuar eksponentë të Policisë së Shtetit, madje edhe me funksione të larta në Policinë e Shtetit janë të lidhur, nuk po themi të lidhur por kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar. Kjo referuar edhe çështjeve të deritanishme që ne kemi hetuar dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër”- u shpreh Dumani.
Një deklaratë që tregon gjendjen e një prej institucioneve më të rëndësishme në vendin tonë, ku pothuajse çdo javë arrestohen dhe pezullohen efektivë që janë të lidhur me grupet kriminale.
Zyrat e SPAK janë të mbushura me dosje, me fotot që kanë qarkulluar shpesh në media, që tregojnë volumin e madh të punës me të cilën duhet të përballen 20 prokurorët e posaçëm.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme ka kërkuar shpeshherë që SPAK të mos hetojë korrupsionin deri në vlerën 50 mijë lekë të reja, për të shmangur mbingarkesën, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë dhe dosjet vijojnë të shtohen.
“Kur flasim për kufirin monetar prej 50 mijë lekësh. Ky kufi duhet të jetë shumë më i lartë. Duhet riparë kufiri monetar. Nuk është e thënë që këtë kategori ta hetojë vetëm SPAK për një kufi të ulët monetar. Mund të jetë dhe 50 mijë, 100 mijë lekë të reja, le ta vendosë ligjvënësi, por ky kufi monetar kalimi i të cilit na bën ne kompetentë nuk më duket i arsyeshëm. Ndoshta për t’u riparë dhe disa vepra penale të tjera, por këtë e shoh më emergjente”, tha Dumani para KLP-së.
Por pse nuk plotësohen këto kërkesa? A po mundohen t’ia vështirësojnë punën SPAK?
Mungesa e burimeve njerëzore, dosjet e korrupsionit të vogël që shtohen nga dita në ditë dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e Policisë, e detyrojnë SPAK të punojë me ritme të ulëta.
Teksa dosjet e korrupsionit të vogël shtohen, rritet mundësia që të vonohet hetimi për dosjet e “peshqve të mëdhenj”. Nga buxheti i shtetit vijojnë të dalin miliona euro për inceneratorët, pavarësisht se është e vërtetuar që ishte një aferë korruptive, por për SPAK limitohen fondet, për të mos nxjerrë të tjerë të përfshirë në afera të mëdha.
Pavarësisht të gjithave, diçka është e sigurt: Politikanët i tremben drejtësisë së re! Ata e dinë se nëse kanë bërë korrupsion, herët apo vonë, dosja e tyre do të përfundojë në duart e SPAK. Dhe nëse përfundon aty, probabiliteti për t’iu bashkuar shokëve në qeli është shumë i madh.