Situata në kantierin e Aeroportit të Vlorës vijon të mbetet e tensionuar, teksa përplasja mes kompanive 2A Group dhe MABCO ka hyrë në ditën e tretë radhazi, duke sjellë ndërprerjen e punimeve.
Përfaqësues të 2A Group tw Valon Ademit kanë penguar zhvillimin e punimeve brenda perimetrit të aeroportit, ndërsa nga ana tjetër MABCO ka bllokuar hyrjen kryesore të kantierit. Për pasojë, aktiviteti në projekt ka mbetur i paralizuar, ndërsa ende nuk ka një marrëveshje mes palëve për zgjidhjen e konfliktit.
Përfaqësuesi i MABCO-s, Emin Pacolli, është shprehur se kompania që ai përfaqëson disponon një vendim gjykate që i njeh të drejtën për të hyrë në kantier dhe për të vazhduar punimet. Sipas tij, pengesat e vendosura nga 2A Group janë në kundërshtim me ligjin dhe po krijojnë vështirësi në vijimin normal të projektit.
Pacolli paralajmëroi se situata mund të agravojë më tej nëse nuk ndërhyhet për të zgjidhur ngërçin, ndërsa deri më tani nuk ka sinjale për një kompromis mes palëve.