Mospajtime të reja kanë shpërthyer mes SHBA dhe Iranit lidhur me kushtet e marrëveshjes së arritur për t’i dhënë fund luftës, duke ngritur dyshime mbi qëndrueshmërinë e armëpushimit të brishtë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Irani ka pranuar inspektime bërthamore “për një kohë të pacaktuar”, ndërsa Teherani mohoi kategorikisht një angazhim të tillë, duke theksuar se programi bërthamor nuk ishte pjesë e negociatave të zhvilluara në Zvicër.
Palët kanë dhënë gjithashtu versione të ndryshme mbi disa nga pikat kyçe të marrëveshjes, përfshirë aksesin e Iranit në asetet e ngrira jashtë vendit, kontrollin e Ngushticës së Hormuzit dhe konfliktin paralel mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.
Megjithatë, Trump u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve. “Po shkojmë shumë mirë me Iranin”, tha ai gjatë një tubimi në Pensilvani.
Marrëveshja fillestare mes Uashingtonit dhe Teheranit ka lejuar rifillimin e qarkullimit detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë strategjike përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me energji. Organizata Ndërkombëtare Detare po punon për evakuimin e rreth 11 mijë detarëve që mbetën të bllokuar pas mbylljes së ngushticës nga Irani gjatë konfliktit.
Sipas marrëveshjes, Irani do të garantojë lirinë e lundrimit për 60 ditë, megjithëse zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se më pas mund të vendosen tarifa ose pagesa të tjera për anijet që kalojnë në këtë korridor detar.
Një tjetër pikë përplasjeje mbetet çështja e programit bërthamor iranian. Trump pretendoi se Teherani ka pranuar akses të pakufizuar për inspektorët ndërkombëtarë në objektet e dëmtuara bërthamore, por autoritetet iraniane e mohuan këtë deklaratë dhe thanë se nuk kanë diskutuar rikthimin e inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.
Mospajtime ka edhe për asetet iraniane të ngrira jashtë vendit. Presidenti amerikan tha se fondet e zhbllokuara do të përdoren për blerjen e ushqimeve dhe furnizimeve mjekësore nga SHBA-ja, ndërsa ambasadori iranian në OKB, Ali Bahreini, deklaroi se Irani do të vendosë vetë për përdorimin e këtyre parave.
Marrëveshja parashikon gjithashtu heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit, zhbllokimin e aseteve të ngrira dhe krijimin e një fondi investimesh prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin e vendit.
Ndërkohë, konflikti në Liban mbetet një tjetër pengesë për zbatimin e plotë të marrëveshjes. Teherani këmbëngul se Izraeli duhet të tërheqë trupat nga territori libanez, ndërsa Tel Avivi ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbajë një zonë sigurie në jug të Libanit.
Tensionet mbeten të larta edhe në terren. Sipas autoriteteve libaneze, dy persona u vranë nga të shtënat izraelite në jug të vendit, ndërsa Hezbollah akuzoi Izraelin për shkelje të armëpushimit që është në fuqi që nga e diela.