Gjatë një eventi për infrastrukturën urbane, kryeministri Edi Rama në fjalën e tij gjeti vend edhe për disa kritika për kryetarët e bashkive.
Ai tha se disa prej tyre lënë detyrën për të ardhur në Tiranë, teksa nuk përmendi emra, por shtoi se nëse kjo vijon të ndodhë, ai do t’i përmendi në mbledhjen e radhës.
“Me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive, nuk dua t’i përmend këtu me emra, që janë bërë pak problem, po e them në mënyrë të butë, për komunitetin, pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund. Nuk janë të gjithë, janë disa. Herën tjetër do të duhet t’i përmend me emër dhe publikisht.
Lënë komunitetin dhe detyrën para se të vijë momenti zyrtar i pushimit që dhe aty ha diskutim kjo punë dhe vijnë në Tiranë. Kjo s’është e justifikueshme dhe e pranueshme. Besoj që kam gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë më parë këtë shqetësim që më ka ardhur nga disa prej komuniteteve tuaja, kryesisht në jug e juglindje të vendit, në aksin Tiranë-Korçë, kryesisht. Nuk flas për ata të ish-PD se ata mund të rrinë në shtëpi gjithë kohës se ata si janë, si s’janë, prapë ata janë. S’e kam për Sotiraqin, as për ministrin”, tha Rama.