Erald Kapri
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani ka bërë një deklaratë të fortë gjatë raportimit të punës së SPAK gjatë vitit 2023, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Dumani tha se nuk bashkëpunojnë dot me Policinë e Shtetit, për disa çëshjte duke e vënë theksin te krimi i organizuar pasi eksponentë të saj, madje edhe me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar
Sipas kreut të SPAK, vijon të jetë ende problematike bashkëpunimi i efektivëve të policisë me krimin e organizuar, madje edhe e atyre në nivele të larta, kjo referuar edhe çështjeve të hetuara nga Prokuroria e Posaçme. Për këtë arsye Dumani tha se për këto çështje bashkëpunojnë vetëm me Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Po janë një kategori çështjesh që ne nuk mund t’i hetojmë me Policinë e Shtetit, sidomos rastet kur përfshihen punonjës të Policisë së Shtetit.
Hetimet tona kanë treguar që, sidomos në rastet e krimit të organizuar eksponentë të Policisë së Shtetit, madje edhe me funksione të larta në Policinë e Shetit janë të lidhur, nuk po themi të lidhur por kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar. Kjo referuar edhe çështjeve të deritanishme që ne kemi hetuar dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër”- u shpreh Dumani.
Gjithashtu në raportimin vjetor, kreu i SPAK tha se janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri, dhe se janë nën hetim 18 zyrtarë të lartë.
“Vlera e pasurive konfiskuara e sekuestruara arrin një vlerë në total prej 41 mln euro, nga të cilat 54 % të sekuestruara, pjesa tjetër të konfiskuara. Ka një rritje me 95 % të kërkesave për ndihmë juridike nga vendet e huaja. Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 299 procedime të reja. 8 procedime penale me 18 të pandehur për zyrtarë të nivelit të lartë, ish ministra, ish-kryeministra, ish-kryebashkiakë, apo ish-sekretarë të përgjithshëm”, tha Dumani.