“221 procedime penale për korrupsion, 18 zyrtarë të lartë nën hetim”, Altin Dumani raporton para KLP: Kemi ngarkesë, na duhen burime njerëzore

Kreu i SPAK, Altin Dumani, po mban një seancë dëgjimorë para Këshillit të Lartë të Prokurorisë mbi raportin e punës së institucionit që ai drejton,  për vitin 2023.

 Dumani tha se  falë punës së SPAK, Shqipëria ka dalë nga lista e vendeve gri për pastrimin e parave dhe institucioni po shihet si i besueshëm si nga shoqëria ashtu edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Për 2023 SPAK ka njohur një rritje cilësore, këto të cituara edhe në Progres Raporti i publikuar në nëntor 2023. SPAK ka arritur të krijojë besueshmeri tek autoritetet partnere. Përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë SPAK. Kemi krijuar kontakt direkt me autoritete të vendeve të Amerikës Latine”, tha Dumani.

Në këtë kuadër, duke folur me shifra, Dumani tha se janë 221 procedime penale për korrupsion, nga të cilët 18 të pandehur zyrtarë të nivelit të lartë.

“Vlera e pasurive konfiskuara e sekuestruara të mbërrin një vlerë në total prej 41 mln euro, nga të cilat 54 % të sekuestruara, pjesa tjetër të konfiskuara. Ka një rritje me 95 % të kërkesave për ndihmë juridike nga vendet e huaja. Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 299 procedime të reja. 8 procedime penale me 18 të pandehur për zyrtarë të nivelit të lartë, ish ministra, ish-kryeministra, ish-kryebashkiakë, apo ish-sekretarë të përgjithshëm”, tha Dumani.

Ndër të tjera kreu i SPAK ka renditur edhe problematikat që ka hasur ky institucion.

Ai ka treguar se është problem ngarkesa e punës për prokurorët e SPAK, pasi ka një rritje të volumit të punës ndërsa burimet njerëzore janë të njëjtat. Problem është edhe mungesa e këshilltarëve ligjorë. Duke qenë se puna do të vijojë të rritet, duhet një numër më i lartë prokurorësh. Kemi një rritje të ngarkesës sidomos kur kemi të bëjmë me bashkëpunime me prokurori të vendeve të huaja.

“Statusi i prokurorëve pas mandatit nuk është i përcaktuar qartë”, tha sërish Dumani.

 Gjithashtu kreu i SPAK tha se secili prej institucioneve duhet të bëjë punën e tij, të rrisë referimet, pasi bashkëpunimi është i domosdoshëm. Sipas tikj institucionet e tjera nuk referojnë në SPAK dhe kjo është shqetësuese.