Shtatori do të jetë sërish muaji i ndryshimeve në qeveri, pasi në këtë muaj do të mbahen dy mbledhje të rëndësishme të Partisë Socialiste, Asambleja në datën 4 dhe Kongresi i PS-së që pritet të mblidhet në fund të muajit.
Janë disa ministrrat të cilët janë drejt shkarkimit nga kryeministri Rama. Një pjesë e tyre janë përfshirë në skandale, ndërsa të tjerët kanë qenë vetëm si emra në postet që mbajnë, pasi nuk kanë bërë asnjë punë me të cilën të justifikojnë veten.
Delina Ibrahimaj, ministrja e Financave duket se do të jetë emri i parë që do të zëvendësohet nga Rama. Largimi i saj u përfol që në datën 26 Korrik, pak orë përpara fillimit të Asamblesë së PS-së, teksa shkarkimi i saj u bë zyrtar në të gjitha mediat, por Rama vendosi që ta mbronte edhe për pak kohë, duke e lënë në detyrë deri në Shtator. Rritja e pagave duket se i “hëngri kokën” ministres, pasi u rritën kostot në shifra të pamenduara më parë. E ndodhur në këtë situatë, Ministria e Financave kërkoi një zgjidhje ndryshe dhe ekstra ligjore. Media Ditari ka zbuluar se përgjatë muajit Maj dhe Qershor, me dhjetëra drejtues institucionesh publike janë kontaktuar nga zyrtarët e ministrisë së Financave ku u është kërkuar verbalisht që të shkurtojnë vendet e punës.
Frida Krifca, ministrja e Bujqësisë, e përfshirë në skandalin e shpërndarjes së fondeve të IPARD, është shumë e rrezikuar, duke marrë parasysh edhe nga sulmet që po i bëhen nga brenda partisë, sidomos nga ish-zv.kryeministri Erion Braçe. Bashkimi Europian do të nisë edhe një hetim për këtë skandal, ndaj Rama do të përpiqet të heqë nga qeveria e tij një tjetër përgjegjësi.
Edona Bilali, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ëhstë një tjetër kandidate për t’u larguar nga detyra këtë Shtator. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Shqipëria cilësohej si një vend shumë të vështirë për të bërë biznes, i ka rënduar pozitat e saj në kabinetin qeveritar, pasi më shumë se për punë, ajo do të mbahet mend për krahasimin e Ramës me Zeusin.
Olta Xhaçka, ministre e Jashtme, pritet të jetë një nga ministret që do të shkarkohet, pas skandaleve të shumta që e kanë përfshirë. Ajo është një nga ministret më të akuzuara nga opozita, për shkak se bashkëshorti i saj ëhstë shpallur edhe investitor strategjik nga qeveria, duke përfituar sipërfaqe të mëdha toke në bregdet. Gjithashtu, mandati i Olta Xhaçës duhet të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, por mazhoranca ka arritur ta zvarrisë këtë proces, për të mos e lënë ministren në duart e drejtësisë.
Milva Ekonomi drejton një ministri të re, atë të Standarteve dhe Shërbimeve, por edhe ajo duket se nuk i ka përmbushur pritshmëritë e Ramës.
Ndërkohë, përsa u përket ngritjeve në detyrë, në radhë e para është Elisa Spiropali, që pritet të lërë detyrën si Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për të marrë drejtimin e një tjetër minister më të rëndësishme.