Franca konfirmon rastin e parë me Ebola

Franca ka konfirmuar rastin e saj të parë të importuar të Ebolës pasi një mjek humanitar u kthye nga një mision në Republikën Demokratike të Kongos, tha Ministria e Shëndetësisë.

Pacienti, i cili ishte kthyer nga një zonë ku virusi është aktiv në Kongo, u pranua menjëherë në një institucion të specializuar shëndetësor dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme, tha ministria në një deklaratë.

“Të gjitha masat parandaluese, përfshirë izolimin e pacientit, u morën menjëherë pas mbërritjes së tij në vend”, u shtua në deklaratë, duke theksuar se transferimi në spital u krye në kushte të sigurta për të shmangur çdo rrezik kontaminimi.

Autoritetet franceze kanë nisur procedurat e monitorimit dhe gjurmimit të kontakteve për të parandaluar përhapjen e mundshme të virusit, duke theksuar se rreziku për popullatën mbetet i ulët falë masave të rrepta të izolimit dhe kontrollit shëndetësor.

Sipas të dhënave më të fundit, mbi 260 persona kanë humbur jetën nga Ebola në vendin e Afrikës Qendrore, ndërsa numri i të infektuarve ka kaluar 1.000 raste.