Televizioni shtetëror iranian deklaroi se armëpushimi i arritur mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të prillit mund të marrë fund nëse Izraeli vazhdon sulmet kundër Hezbollahut në Liban.
Paralajmërimi vjen në një moment kur agjencia iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se Teherani ka pezulluar negociatat indirekte me Uashingtonin, pasi Izraeli urdhëroi trupat e tij të avancojnë më thellë në territorin libanez, duke komplikuar përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit që ka hyrë në muajin e tretë.
Sipas Tasnim, ekipi negociator iranian ka ndërprerë shkëmbimin e mesazheve me SHBA-në përmes ndërmjetësve, duke e lidhur këtë vendim me operacionet ushtarake në Liban, ku lufta mes Izraelit dhe Hezbollahut është riaktivizuar në sfondin e tensioneve më të gjera rajonale.
Deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane, ndërsa as Uashingtoni dhe as Tel Avivi nuk kanë komentuar raportimet.
Lajmi ndikoi menjëherë në tregjet ndërkombëtare, me çmimet e naftës që u rritën me më shumë se 6 dollarë për fuçi pas publikimit të raportit.
Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, urdhëroi sulme ndaj periferive jugore të Bejrutit, zona të kontrolluara nga Hezbollahu. Sulmet shkaktuan një valë të re zhvendosjesh të popullsisë në Liban, ku mbi një milion persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i konfliktit.
Zyra e Netanyahut akuzoi Hezbollahun për shkelje të përsëritura të armëpushimit të arritur në fund të prillit.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se beson që Irani dëshiron të arrijë një marrëveshje. Megjithatë, optimizmi për një zgjidhje diplomatike është zbehur nga kritikat e zyrtarëve iranianë ndaj asaj që ata e cilësojnë si qëndrim “vazhdimisht të ndryshueshëm” të SHBA-së në negociata.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se shkeljet e armëpushimit në Liban ndikojnë drejtpërdrejt në të gjitha frontet e konfliktit.
“Shkelja në një front është shkelje e armëpushimit në të gjitha frontet. SHBA-ja dhe Izraeli mbajnë përgjegjësi për pasojat e çdo shkeljeje”, deklaroi ai.
Konflikti, i cili sipas raportimeve ka shkaktuar mijëra viktima dhe pasoja të rënda ekonomike globale, vazhdon të mbajë nën presion tregjet energjetike dhe sigurinë në Lindjen e Mesme.
Sipas Tasnim, Irani dhe aleatët e tij rajonalë po shqyrtojnë masa të reja presioni, përfshirë bllokimin e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe aktivizimin e fronteve të tjera detare, si Ngushtica Bab el-Mandeb, një korridor kyç për tregtinë ndërkombëtare.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zhvilluar bisedime me presidentin libanez, Joseph Aoun, dhe me Netanyahun, duke propozuar një plan për “ulje graduale të tensioneve” mes Izraelit dhe Libanit.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, palët mbeten larg një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ndërsa çështje të tilla si programi bërthamor iranian, heqja e sanksioneve dhe zhbllokimi i të ardhurave nga nafta vazhdojnë të mbeten pika të forta përplasjeje mes Teheranit dhe Uashingtonit.