Nga martesa e Dua Lipës te Festa e Qershive, Taulant Balla reagon për gjithçka, përveç dhunës ndaj qytetarëve në Zvërnec

Taulant Balla ka filluar të jetë shumë aktiv në rrjetet sociale, duke komentuar çfarëdo ndodh në Shqipëri dhe jo vetëm.

Madje, arriti sa të gjobisë nëpërmjet postimit edhe tik-tokerin e njohur, Kozakun, duke e akuzuar këtë të fundit se kishte ndotur detin.

Ndërkohë, prej dy ditësh nuk ka asnjë reagim nga Taulant Balla në lidhje me dhunën e ushtruar nga rojet private ndaj qytetarëve në Zvërnec.

Ish-ministri i Brendshëm, që Rama e shkarkoi pa mbushur 1 vit në detyrë, me arsye që edhe sot e kësaj dite mbeten enigmë, ka zgjedhur të publikojë foto nga martesa e Dua Lipës, nga Festa e Qershive në Elbasan dhe deri te shpallja e Egnatias kampion e e Shqipërisë në futboll, por ka kyçur gojën për atë që ndodhi në Zvërnec.

Me shumëllojshmërinë e postimeve, Taulant Balla po mundohet të kopjojë Erion Braçen, që njihet për reagimet e tij ndaj çdo ngjarje, por të paktën ky i fundit bën ndonjëherë edhe opozitarin, dhe jo vartësin e bindur ndaj kryetarit të partisë.