Mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” pasditen e sotme për të protestuar kundër projektit të investimit në Zvërnec.
Më pankartat “Atdheu nuk është në shitje” dhe “Zëri ynë, e ardhmja jonë”, qytetarët kanë marshuar drejt Ministrisë së Brendshme.
Kjo është protesta e dytë që bëhet në kryeqytet, pas asaj të së shtunës në Zvërnec, ku qytetarët u dhunuan nga rojet private, çfarë solli edhe largimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Vlorës.
Bie në sy që pjesa dërrmuese e protestuesve janë të rinj, që i janë bashkuar kësaj proteste për të mbrojtur Shqipërinë.
Kryeministri Edi Rama ka tentuar që t’i përçajë qytetarët duke thënë se kjo protestë sponsorizohet nga Greqia, me këtë të fundit që nuk do investime të mëdha në vendin tonë, por kreu i qeverisë duket se nuk e ka arritur qëllimin, pasi pjesëmarrja është masive.