Intervista/Sa larg mund të shkojë Trump në mandatin e tij të dytë?

Nga Eric Cortellessa “Time”

Donald Trump mendon se ka identifikuar një gabim vendimtar gjatë mandatit të tij të parë:U tregua shumë i mirë në disa raste. Ne biseduam për më shumë se një orë më 12 prill në resortin e tij në Palm Beach. Disa kanë paralajmëruar publikisht se ai përbën një rrezik për SHBA-në.

Unë e pyes:E përse duhet t’ju besojnë votuesit, kur disa nga njerëzit nga të afër sot nuk ju besojnë? Si gjithmonë Trump ia kthen kusurin, duke denigruar ish-këshilltarët e tij të lartë. Megjithatë ka mësuar diçka të rëndësishme. “I lejova të dorëhiqen pasi jam njeri. Nuk doja të poshtëroja askënd. Por nuk mendoj se do ta bëj sërish. Tani e tutje, do të shkarkoj atë qënuk e bëjnë punën si duhet”- thotë ai.

Gjashtë muaj nga zgjedhjet presidenciale të këtij viti, Trump është më i mirë-pozicionuar për të hyrë sërish në Shtëpinë e Bardhë, sesa në çdo moment prej cilësdo prej fushatave të tij të mëparshme. Ai kryeson ndaj Xho Bajden me një diferencë të ngushtë në shumicën e sondazheve.

Madje dhe në disa nga 7 shtetet e lëkundura që mund të përcaktojnë rezultatin. Ndaj unë doja të dija se çfarë do të bënte Trump nëse fiton një mandat të dytë. Ai më tha se për të kryer një operacion dëbimi gjigant, me synim largimin e më shumë se 11 emigrantëve të paligjshëm, është i gatshëm të ndërtojë kampe të mëdha për ta, dhe të përdorë ushtrinë amerikane, si në kufi ashtu edhe brenda vendit.

Po ashtu, theksoi se do të lejojë shtetet me shumicë të djathtë që të monitorojnë shtatzënitë e grave, dhe të ndjekin penalisht ata që shkelin ligjin për ndalimin e abortit. Ndërkaq do të jetë i gatshëm të shkarkojë një prokuror amerikan, që nuk zbaton urdhrin e tij për të ndjekur penalisht dikë, duke thyer kësisoj një traditë të zbatimit të pavarur të ligjit që daton që nga themelimi i Amerikës si shtet.

Ai do të këmbëngulë për faljen e secilit prej mbështetësve të tij të akuzuar për sulmin ndaj Capitol Hill më 6 janar 2021. Më shumë se 800 njerëz janë shpallur fajtorë ose janë dënuar për atë ngjarje. Ndërkohë e pranon se mund të mos i vijë në ndihmë një aleati të sulmuar në Evropë apo Azi, nëse sheh që vendi në fjalë nuk po paguan mjaftueshëm për mbrojtjen e vetes.

Ai do të ndryshonte rrënjësisht shërbimin civil të SHBA-së, do të vendoste Gardën Kombëtare në qytetet amerikane në varësi të rrethanave, do të mbyllte zyrën e gatishmërisë ndaj pandemisë që është hapur në Shtëpinë e Bardhë që nga pandemia e fundit, dhe do të plotësojë radhët e administratën e tij me bashkëpunëtorë që mbështesin pretendimin e tij se zgjedhjet e 2020-ës u vodhën.

Pra Trump mbetet po ai që ishte, me të njëjtat synime dhe ankesa. Por ai më thotë se tani është më shumë i sigurt. “Kur erdha për herë të parë në Uashington, njihja shumë pak njerëz. Më duhej të mbështetesha tek shumëkush”-kujton ai. Por tani ai është në krye të partisë. Garda e vjetër është mposhtur dhe njerëzit e mbetur janë besnikë të tij.

Në kundërshtim me sugjerimet e disa mbështetësve, ai thotë për TIME, se nuk do të synojë të përmbysë apo të shkelë Kushtetutën duke pretenduar një mandat të tretë. Edhe sepse opinioni publik do të ishte gjithashtu një kontrollor i fuqishëm. Për shkak të kundërshtimit popullor, Trump u detyrua të zvogëlojë disa nga nismat e tij më të ashpra të mandatit të parë, përfshirë politikën e ndarjes së familjeve emigrante.

Por për pjesën tjetër të kombit dhe botës, ai përfaqëson një rrezik alarmant. Një mandat i dytë i Trump mund të sjellë “fundin e demokracisë sonë”, thotë historiani i presidentëve Dagllas Brinklej, “dhe lindjen e një lloji të ri rendi presidencial autoritar”. Ekspertët thonë se në një mandat të dytë, ndikimi i Trump mbi demokracinë amerikane do të shtrihej shumë përtej kompetencave të faljes së besnikëve të tij.

Aleatët e tij, po hedhin që tani bazat për të ristrukturuar presidencën në përputhje me një doktrinë të quajtur teoria unike ekzekutive, e cila thotë se shumë nga kufizimet e vendosura në Shtëpinë e Bardhë nga ligjvënësit dhe gjykatat, duhet të hiqen në favor të një Komandanti të Përgjithshëm më të plotfuqishëm.

Dhe ky pushtet nuk do të ishte askund më i rëndësishëm sesa në Departamentin e Drejtësisë. Që në fillimet e SHBA-së si shtet, presidentët kanë mbajtur në përgjithësi një distancë të respektueshme nga zyrtarët e zbatimit të ligjit të konfirmuar nga Senati, për të shmangur shfrytëzimin për qëllime personale të aftësisë së tyre të madhe për të kufizuar liritë e amerikanëve.

Por i dëmtuar gjatë mandatin e tij të parë nga hetimet e shumta të drejtuara nga të emëruarit e tij, Trump premton të imponojë vullnetin e tij drejtpërdrejt mbi departamentin dhe hetuesit dhe prokurorët më të distancuar ndaj tij. Në intervistën tonë, Trump më tha se mund të shkarkojë prokurorët që refuzojnë urdhrat e tij për të ndjekur penalisht dikë.

“Sigurisht, kjo do të varet nga situatat”- theksoi ai. Ndërkohë, ai u ka thënë mbështetësve se në një mandat të dytë, do të kërkojë hakmarrje ndaj armiqve të tij. A do të përfshinte kjo Fani Uillis, prokurori i rrethit të zonës së Atlantës që e akuzoi atë për ndërhyrje në zgjedhje, apo Alvin Brag, prokurorin e Manhatan në çështjen “Stormy Daniels”, për të cilin Trump ka thënë më parë se duhet të ndiqet penalisht?

Trump nervozohet nga këta emra, por nuk premton gjë. “Jo, nuk dua ta bëj këtë”- thotë ai, përpara se të shtojë:“Ne do të rishohim shumë gjëra. Ajo që ata kanë bërë është e tmerrshme”

Po ashtu Trump është zotuar të emërojë një “prokuror special të vërtetë” për të ndjekur penalisht presidentin aktual Bajden.

Por lëvizje të tilla, do të kishin pasoja katastrofike për besueshmërinë e zbatimit të ligjit në SHBA, thonë studiuesit dhe ish-udhëheqësit e Departamentit të Drejtësisë nga të dyja palët. “Nëse ai do të urdhëronte një ndjekje penale të pahijshme, unë do të prisja që çdo prokuror i respektuar të thotë Jo”- shprehet Majkëll Mekonell, ish-gjyqtar i apelit i emëruar nga presidenti Xhorxh Ë. Bush.

“Dhe nëse presidenti do të shkarkonte nga detyra Kryeprokurorin e SHBA-së, atëherë do të ndodhte një trazirë e madhe”-shton ai. Mekonell, sot profesor i drejtësisë në Universitetin e Stenfordit, thotë se ai akt mund të ketë një efekt kaskadë, të ngjashëm me Masakrën e së Shtunës Mbrëma, kur presidenti Riçard Nikson urdhëroi zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit të largonin prokurorin special që po hetonte skandalin “Watergate”.

Presidentët gëzojnë të drejtën kushtetuese për të shkarkuar prokurorët, dhe pas marrjes së detyrës zakonisht i zëvendësojnë të emëruarit e paraardhësve të tyre. Por shkarkimi i ndonjërit prej tyre për shkak të refuzimit të urdhrit të presidentit, do të ishte diçka e paprecedentë.

Planet radikale të Trump do të ndiheshin në të gjithë vendin. Një nga çështjet kryesore është kufiri jugor me Meksikën. Këshilltarët e tij, thonë se ai ka në plan të përdorë kalimet kufitare rekord, trafikimin e drogës fentanil dhe të fëmijëve, si një justifikim për rivendosjen e masave emergjente.

Ai do të përdorte fondet federale për të rifilluar ndërtimin e murit në kufi, me gjasë duke marrë një pjesë të fondit të ushtrisë edhe pa miratimin e Kongresit. Kulmi i këtij programi, thonë këshilltarët, do të ishte një operacion masiv dëbimi që do të shënjestrojë miliona njerëz.

Trump bëri premtime të ngjashme në mandatin e tij të parë, por thotë se planifikon të jetë më agresiv në të dytin. “Njerëzit që kanë hyrë ilegalisht duhet të dëbohen. Askush nuk duhet të përjashtohet nga ky proces”-thotë Tom Homan, një këshilltar i lartë i Trump dhe ish-drejtues i zyrës së Emigracionit dhe Doganave.

Ekipi i Trump po merr në konsideratë 2 projektligje për mandatin e dytë:një paketë të sigurisë kufitare dhe kundër emigracionit të paligjshëm, dhe një zgjatje të shkurtimeve të taksave të miratuara në vitin 2017. Shumë nga dispozitat e kësaj të fundit, skadojnë në fillim të vitit 2025: uljet e taksave sipas të ardhurave individuale, rimbursim 100 për qind të shpenzimeve të biznesit, dyfishim i zbritjes së taksës së pasurisë.

Ndërkohë Trump po planifikon të intensifikojë axhendën e tij proteksioniste, duke menduar vendosjen e një tarifë prej më shumë se 10 për qind për të gjitha importet, dhe ndoshta edhe një tarifë 100 për qind për disa mallra kineze. Trump thotë se tarifat do ta çlirojnë ekonominë amerikane nga të qenit në mëshirën e prodhimit të huaj, dhe do të nxisin një rilindje industriale në vend.

Nën Bajden, SHBA-ja ka dërguar më shumë se 100 miliardë dollarë ndihmë Ukrainë për t’u mbrojtur ndaj Rusisë. Por nuk ka gjasa që Trump të japë të njëjtën mbështetje për Kievin. “Unë nuk do të jap asnjë qindarkë, nëse Evropa nuk fillon të barazojë shpenzimet tona”-më tha ai.

Në fund, Trump nuk e hedh poshtë mundësinë e dhunës politike në këto zgjedhje. “Nëse nuk fitojmë, varet nga ajo se çfarë mund të ndodhë. Çdo gjë varet nga ndershmëria e procesit”- thotë ish-presidenti, që shton se “fashistët” në qeverinë e Amerikës janë kërcënimi më i madh për vendin. “Mendoj se armiku nga brenda, është në shumë raste shumë më i rrezikshëm për vendin tonë sesa armiqtë e jashtëm si Kina, Rusia dhe të tjerët”- theksoi ai.

Marrë me shkurtime