ANALIZA/ Çfarë pritet të ndodhë në Maqedoni me rikthimin e së djathtës

Nga Zoran Ivanov “Daily Sabah”

Nën një atmosferë të rënduar, Republika e Maqedonisë së Veriut ka kthyer në mënyrë të prerë faqen e historisë së saj politike, duke zgjedhur presidenten e saj të parë grua, Gordana Siljanovska Dafkova, dhe duke i dhënë një fitore të madhe Partisë Demokratike për Bashkimin Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE) në të dyja zgjedhjet, presidenciale dhe parlamentare.

Ky triumf i dyfishtë, rrëzoi jo vetëm barrierat e mëparshme gjinore, por sinjalizon edhe një transformim të thellë brenda VMRO-DPMNE, një parti e portretizuar dikur si retrograde, sot e rilindur përmes reformave gjithëpërfshirëse dhe një vizioni demokratik të ripërtërirë.

Ndërsa Maqedonia hap rrugën e saj drejt integrimit evropian, këto rezultate zgjedhore dërgojnë një mesazh të fortë në të gjithë Ballkanin por edhe Bruksel:Maqedonia, është jo vetëm gati për ndryshim, por ajo po e udhëheq atë. Zgjedhjet e fundit në Republikën e Maqedonisë nuk kanë qenë vetëm historike për shkak të zgjedhjes së presidentes së parë femër, Gordana Siljanovska Dafkova.

Por ato kanë shënuar edhe një ndryshim të rëndësishëm politik, teksa VMRO-DPMNE ka arritur një fitore të dyfishtë, si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe ato parlamentare. Ky triumf i dyfishtë, nuk është vetëm një fitore sa i përket vendeve dhe pozicioneve.

Por nënkupton një transformim të thellë brenda vetë VMRO-DPMNE-së, dhe një miratim të fuqishëm të politikave dhe vizionit të saj të ripërtërirë nga ana e qytetarëve maqedonas.

Rezultatet e zgjedhjeve, pasqyrojnë një mandat të qartë nga popullata maqedonase, e cila është lodhur nga keq-përfaqësimi.

Qeveria e mëparshme, një koalicion i LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), u vu në provë për disa vite, dhe vendimi i dhënë nga elektorati ishte i qartë. Diferenca e konsiderueshme në vota dhe shpërndarja e vendeve në parlament, tregojnë se populli është i etur për ndryshime dhe reforma.

Ai i 8 majit, nuk ishte një ushtrim i thjeshtë elektoral, por një thirrje me shumë jehonë për një transformim të vërtetë dhe një përmirësim të qeverisjes. Për më tepër, ky rezultat zgjedhor dërgon një mesazh bindës për fqinjët tanë, kryesisht Greqinë dhe Bullgarinë, ku sfidat ndaj demokracisë mbeten mbizotëruese.

Për shembull në Bullgari, peizazhi politik është ende i dëmtuar nga mbetjet e politikës shoviniste të shekullit XIX-të, me një paqëndrueshmëri të shpeshtë të qeverive. Megjithatë, ende sot bullgarët nuk mund të krijojnë dot një qeveri të qëndrueshme. Në të kundërt, procesi zgjedhor i Maqedonisë dhe fitorja vendimtare e Siljanovska Dafkovas, nxjerrin në pah një demokraci të pjekur dhe funksionale, që i përgjigjet vullnetit të popullit të saj.

Këto dy shtete fqinje, ishin pengesat kryesore për integrimin evropian të Maqedonisë, për shkak të politikave të tyre revizioniste ndaj nesh. Dhe rezultati i fundit zgjedhor, mund të shërbejë si një mesazh i qartë për të ripërcaktuar politikat e saj duke treguar respekt ndaj fqinjëve, ruajtur vlerat demokratike si dhe një frymë evropiane që do ta bëjë rajonin e Ballkanit të qëndrueshëm ndaj sfidave të shpejta gjeopolitike.

Duke neglizhuar respektin e ndërsjellë dhe duke vazhduar bllokimin e Maqedonisë në integrimet evropiane, ata u lënë hapësirë shteteve dhe aktorëve të tjerë jo shtetërorë por keqdashës, që të krijojnë kërcënime të rënda për sigurinë evropiane. Përveç kësaj, ky ndryshim i dukshëm në rezultatin e zgjedhjeve, mund të përmirësojë perceptimin e Brukselit mbi Maqedoninë dhe të kapërcejë stereotipet e saj dhe kërkesat e veçanta, të cilat nuk janë pjesë e kritereve të integrimit në Bashkimin Evropian.

Suksesi i VMRO-DPMNE-së në këto zgjedhje, tregon se ajo nuk është më partia e vjetër që mund ta mbajë mend shumëkush. Rezultatet tregojnë një parti që e ka reformuar veten me sukses, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke u zhvilluar përtej përsëritjeve së gabimeve të mëparshme.

Partia ka treguar një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’u përshtatur dhe ri-përshtatur me kërkesat themelore të zgjedhësve të saj:ruajtjen e vlerave të forta demokratike dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Sot, VMRO-DPMNE është një lidere e aftë për të frymëzuar dhe çuar përpara popullin.

Kjo fitore e dyfishtë, është veçanërisht bindëse për shkak të qartësisë strategjike të partisë në politikat e saj largpamëse. Ajo ka artikuluar një vizion, ku aspiratat dhe reformat e prekshme hapin rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo perspektivë, argumenton se integrimi në Evropë, do të jetë një rezultat i natyrshëm i përmirësimeve të brendshme, dhe jo një parakusht për përmirësime të brendshme.

Zgjedhjet e fundit, reflektuan një maturim brenda VMRO-DPMNE-së, një transformim që është pritur mirë nga elektorati. Angazhimi i kësaj partie për të korrigjuar hapat e gabuar të së kaluarës dhe për të rinovuar qasjen e saj të qeverisjes, ka qenë përcaktues për suksesin e saj zgjedhor. VMRO-DPMNE është shfaqur këtë herë si një parti e aftë për të udhëhequr dhe frymëzuar një komb të etur për përparim. Fitorja në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, sugjeron një dëshirë të unifikuar në mesin e elektoratit maqedonas për një udhëheqje vendimtare dhe të qëndrueshme.

Zgjedhja e presidentes Siljanovska Dafkova, krijon një terren të ri në barazinë gjinore dhe angazhimin demokratik. Njëkohësisht, rezultatet e zgjedhjeve parlamentare miratojnë axhendën legjislative të VMRO-DPMNE-së, e cila premton t’i japë përparësi zhvillimit të shtetit, reformave transformuese dhe të zhvillojë një luftë të ashpër kundër korrupsionit.

Për më tepër, axhenda e reformave të kësaj partie, përputhet shumë me nevojat me urgjente që ka sot Maqedonia. Teksa Bashkimi Evropian po vëzhgon me vëmendje qëndrueshmërinë demokratike dhe zellin reformues të vendeve kandidate, përkushtimi i VMRO-DPMNE-së për ç’rrënjosjen e korrupsionit dhe rritjen e cilësisë së administratës publike, i dërgon një sinjal të fortë Brukselit.

Kjo është një Maqedoni e gatshme të respektojë standardet e rrepta të kërkuara për anëtarësimin në BE, dhe e interesuar të ndihmojë në mënyrë domethënëse në projektin evropian. Udhëheqja e presidentes Siljanovska Dafkova dhe mbështetja parlamentare e VMRO-DPMNE-së, i ofrojnë Maqedonisë një mundësi unike për të ripërcaktuar politikat e saj të brendshme dhe ato të jashtme.

Siç e ka thënë me vend vetë presidentja e re, ky nuk është moment për të festuar, por për t’u riorganizuar dhe riorientuar vendin drejt zhvillimit substancial të brendshëm dhe integrimit më të thellë evropian. Prandaj kjo fitore e dyfishtë, nuk është vetëm një fitore politike, por edhe një moment kyç për Maqedoninë.

Ai ofron një shans për të ripërcaktuar të ardhmen e vendit, duke siguruar që udhëtimi drejt integrimit evropian të jetë i fortë dhe reflektues i vullnetit të vërtetë të popullit të tij. Nën këtë udhëheqje të ripërtërirë, Maqedonia qëndron në krye të një epoke transformuese, e cila premton të forcojë institucionet e saj demokratike, përmirësojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të sigurojë një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e saj. Rruga është përcaktuar, dhe me këtë mandat të ri VMRO-DPMNE është gati ta çojë Maqedoninë në një nivel të ri të qeverisjes dhe angazhimit evropian.

Shënim:Zoran Ivanov, studiues në TOBB ETU dhe këshilltar i lartë në Institutin RINK në Lubjanë, Slloveni.