Belinda Balluku, “asi nën mëngë” i SPAK për arrestimin e Erion Veliajt?

Zv.kryeministrja Belinda Balluku u paraqit dje në Prokurorinë e Posaçme, ku u pyet për aferën e inceneratorit të Tiranës, hetimet për të cilin janë drejt fundit.

Për këtë aferë, SPAK ka vënë nën sekuestro inceneratorin, ndërkohë që disa ish-drejtorë dhe zyrtarë të Bashkisë së Tiranës janë vënë në pranga. Por pavarësisht kësaj, nga Bashkia e Tiranës vijojnë të jepen miliona euro.

Pas daljes nga SPAK, Balluku dha edhe një deklaratë për mediat, me disa mesazhe të forta për ata që dyshohet të jenë të përfshirë në këtë aferë.

“Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh dhe të vogël, për të ndarë njëherë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm”, tha Balluku ndër të tjera.

Por a ishte ky një mesazh për Erion Veliajn?

Lufta e brendshme në Partinë Socialiste ka vite që ka nisur, pavarësisht se Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet, të paktën deri në vitin 2029, siç ka deklaruar edhe më herët. Të shumtë kanë qenë ata që kanë synuar fronin dhe kanë “rënë rrugës”, duke u arrestuar, shpallur në kërkim apo duke u larguar nga skena politike.

Për të vërtetuar se lufta brenda PS-së ëhstë e pamëshirshme, mjafton të dëgjojmë intervistën e Arben Ahmetajt, i cili akuzoi Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn se i kishin “fryrë në vesh” Ramës kundër tij, ndaj edhe ai u bë “kokë turku” për aferën e inceneratorëve.

Dikur ishte një luftë treshe, tashmë në betejë kanë ngelur vetëm Erion Veliaj dhe Belinda Balluku. Pavarësisht se në publik shfaqen të qeshur dhe bashkëpunues, burime brenda PS-së thonë se të dy punojnë për t’i prishur punë njëri tjetrit dhe për të dalë sa më mirë në sytë e kreut të partisë.

Sot, asnjë prej tyre nuk i ka punët “vaj” me drejtësinë. Lalit të Bashkisë i kanë arrestuar disa nga njerëzit e tij më të besuar, ish-drejtorët që mbushën xhepat me paratë e qytetarëve, ashtu si edhe “superministres”, që në pranga i kanë vënë Evis Berberin, ndërsa SPAK po heton edhe Ceno Klosin, dy nga njerëzit e saj më të afërt.

Por, afera e inceneratorit duket të jetë një “xhol” për Ballukun, e cila mund ta përdorë për të fundosur Erion Veliajn, i cili siç kanë treguar denoncimet e opozitës, e ka firmën në çdo shkresë për inceneratorin.

Belinda Balluku është “asi nën mëngë” i SPAK! Një lëvizje, dy fitues dhe me një humbës i vetëm!