Hetimi i aferës së inceneratorit të Tiranës është drejt fundit, me SPAK që ka thirrur për të dëshmuar kohët e fundit edhe dy zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.
Nëse Balluku u thirr si person në dijeni, Erion Veliaj duket të jetë shumë më i përfshirë në hetime, për shkak se firma e tij ndodhet në disa shkresa të firmosura që i hapnin rrugë atij inceneratori, i cili nuk u ndërtua kurrë, por vijon të marrë fondet e bashkisë së kryeqytetit.
SPAK ka arrestuar disa ish-drejtorë dhe zyrtarë të tjerë, por në dosje nuk përmend asnjëherë emrin e Veliajt, ndonëse i referohet me “titullari i bashkisë”. Por afera e inceneratorëve nuk qëndron vetëm te ai i Tiranës, por është së bashku me Fierin dhe Elbasanin, ku në burg prej disa kohësh ndodhet edhe ish-ministri Lefter Koka, ndërsa është shpallur në kërkim ndërkombëtar ish-ministri Arben Ahmetaj.
Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje këdo që ka patur dijeni, por ende nuk është bërë asnjë thirrje për njeriun më të rëndësishëm të këtij pushteti, kryeministrin Edi Rama. Teksa ka parë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij të binin një nga një nga drejtësia e SPAK, Rama është justifikuar gjithmonë me “përgjegjësinë individuale”.
Por, në një aferë kaq të madhe, përgjegjësia nuk mund të jetë individuale, pasi ndërtimi i inceneratorëve ishte një vendim i qeverisë, ndaj edhe kryeministri duhet të mbajë sadopak përgjegjësi.
Teksa të gjithë janë thirrur për këtë aferë mbi 450 milion euro, ngrihet pyetja: A do ta thërrasë SPAK kryeministrin Edi Rama?
Ka apo jo përgjegjësi, Rama duhet të pyetet për gjithçka ka dijeni në lidhje me këtë çështje. Kryeministri, sidomos në rastin e Ramës ku asgjë s’mund t’i kalojë “nën hundë”, nuk mund të bëjë sikur nuk ka ditur asgjë, por duhet të tregojë të gjitha informacionet që ka patur në lidhje me këtë aferë.
Rama do të duhet të shpjegojë se përse në 2 Mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, i cili ndryshonte fushën e përgjegjësisë shtetërore për ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas ekspertëve, ky akt fshihte një hile të madhe kundër shtetit, e cila do të dilte në dritë shumë kohë më pas, atëherë kur SPAK të merrte në dorë aferën e inceneratorit të Tiranës. Vendimi i marsit të vitit 2022 hoqi sektorin e mbetjeve nga përgjegjësia e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkë me të edhe detyrimin e komponentit zbatues të politikave të qeverisë për mbetjet. Me pak fjalë vendimi i hoqi Belinda Ballukut detyrimin ligjor për të mbikqyrur zbatimin e kontratës koncesionare për inceneratorin e Tiranës dhe atë të Fierit.
Kjo hile, e cila praktikisht e la inceneratorin e Tiranës pa mbikqyrje për zbatimin e kontratës, nuk ishte e rastësishme. Ajo erdhi pas një periudhe të gjatë të shkeljes së ligjit, e cila këtë të mërkure e çoi Belinda Ballukun në dyert e SPAK për t’ju përgjigjur pyetjeve të prokurorëve mbi inceneratorin e Tiranës.