Një skemë e mirëorganizuar korrupsioni, që përfshin miliona euro, kërcënime dhe përfitime të fshehura përmes faturave fiktive, del në pah nga dosja e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Sipas materialeve hetimore, mbi 1.05 miliardë lekë (rreth 10.6 milionë euro) dhe rreth 470 mijë euro janë transferuar nga kompani të ndryshme në llogaritë e shoqërisë “EA Solution”, në pronësi të Ergys Agasit. Këto pagesa, të justifikuara formalisht si shërbime, dyshohet se kanë qenë në fakt ryshfete për sigurimin e tenderëve të AKSHI-t, përmes ndikimit të Agasit dhe lidhjeve të tij me ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj.
Hetimet tregojnë se kompania “EA Solution” nuk kishte kapacitete reale për të ofruar shërbimet për të cilat faturonte shuma të mëdha, duke e kthyer atë në një instrument për pastrimin e parave dhe kanalizimin e pagesave korruptive.
Dosja është zgjeruar me emra të rinj, përfshirë ish-nëndrejtorin e AKSHI-t Daniel Shima, Arjola Koromanin, si dhe disa biznesmenë e kompani të lidhura me tenderët. Ndaj disa prej tyre janë shtuar akuzat për korrupsion, ndërsa për ish-drejtoreshën Karçanaj rëndon edhe akuza e pastrimit të parave.
Në total, disa kompani si “Soft & Solution”, “Fastech” dhe “First” dyshohet se kanë paguar miliona euro për të siguruar fitimin e procedurave publike.
Një nga episodet kyçe në dosje lidhet me projektin “SmartLab 2”. Sipas dëshmisë së biznesmenes Migena Schroeder, përfaqësuese e kompanisë AESS, asaj i është kërkuar të bëhej pjesë e një skeme pagesash të detyruara.
Ajo ka deklaruar se është vënë nën presion nga Ermal Beqiri, bashkëpunëtor i afërt i Agasit, i cili i ka kërkuar që një pjesë e fitimeve të kalonte tek “EA Solution”. Në këtë kontekst, Schroeder është shprehur se i ishte thënë se kishte hyrë në një “pishinë peshkaqenësh”, duke nënkuptuar rrezikun dhe detyrimin për të paguar.
Si rezultat, kompania e saj transferoi mbi 1.1 milion euro drejt “EA Solution”, përmes një kontrate shërbimi të dyshuar si fiktive.
Një tjetër element i pazakontë i skemës është përdorimi i verërave të shtrenjta si formë shpërblimi. Hetimet zbuluan se në vilën e Agasit në “Equos Resort” u gjet një kantinë me qindra shishe vere luksoze, me vlerë mbi 950 mijë euro.
Sipas SPAK, këto produkte nuk janë paguar nga vetë Agasi, por janë siguruar nga kompani që kishin përfituar tenderë publikë. Furnizimet janë kryer përmes një rrjeti kompanish të lidhura, ndërsa pagesat janë bërë në mënyra të ndryshme, përfshirë transferta bankare dhe cash.
Nga analiza e transaksioneve për periudhën 2023–2025, rezulton se Agasi ka përfituar rreth 9 milionë euro në formë ryshfeti, përmes kompanisë së tij. Paratë dyshohet se janë dhënë nga operatorë ekonomikë në këmbim të paracaktimit si fitues në tenderët e AKSHI-t.
Sipas hetuesve, faturat tatimore janë përdorur si mekanizëm për të “legalizuar” këto pagesa, duke i futur ato në sistem si shpenzime të ligjshme.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme ka çuar në sekuestrimin e dhjetëra pasurive të lidhura me këtë skemë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrjetin dhe përgjegjësitë penale.
SPAK dyshon se kemi të bëjmë me një organizatë të strukturuar kriminale, e cila ka manipuluar procedurat publike dhe ka përfituar shuma të mëdha përmes korrupsionit dhe pastrimit të parave.