Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 30-vjeçarit Endri Goxhaj, e ndodhur mbrëmjen e së martës në Memaliaj.
Policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër, Donaldo dhe Marjaldo Nela, të dyshuar si autorë të ngjarjes. Sipas hetimeve paraprake, viktima dhe autorët dyshohet se kanë qenë të ndarë në dy grupe rivale, mes të cilëve ka pasur shkëmbim zjarri.
Si pasojë e të shtënave, ka mbetur i plagosur edhe Dali Nela, vëllai i dy të shpallurve në kërkim.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se konfliktet mes palëve janë të hershme dhe dyshohet se lidhen me çështje të trafikut të lëndëve narkotike.
Ndërkohë, një nga të dyshuarit, Donaldo Nela, rezulton person me precedent penal, i përfshirë më herët në trafik droge si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i goditur në vitin 2018 nga Policia e Sarandës. Ai gjithashtu është hetuar edhe për një grabitje në një pikë këmbimi valutor në Tepelenë.
Sipas burimeve, i plagosuri Dali Nela është dhëndërr në fisin Kalemi. Në vijim të hetimeve, policia ka shoqëruar disa persona si dëshmitarë okularë apo persona që mund të kenë dijeni për konfliktin, por deri më tani dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar në dokumentimin e plotë të ngjarjes.