Erion Veliaj është në burg prej shkurtit të vitit 2025 dhe më shumë se një vit e gjysmë pas arrestimit të tij, vazhdon të jetë pas hekurave, ndërsa Tirana vazhdon të ketë të njëjtin kryetar bashkie.
Më 15 shtator, Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e mëparshëm për Veliajn, duke mos pranuar rekursin e tij kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Kështu, një kryetar bashkie që ndodhet në burg prej shkurtit të vitit 2025 vazhdon të mbajë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ndërsa qyteti vijon të funksionojë me një kryetar që për shkak të rrethanave në të cilat ndodhet, nuk mund ta ushtrojë fizikisht detyrën e tij.
Dhe pyetja që duhet t’i bëhet sot Edi Ramës, është se si mund të vazhdojë të drejtojë kryeqytetin një njeri që prej më shumë se një viti e gjysmë nuk është në gjendje të ushtrojë fizikisht funksionin për të cilin është zgjedhur.
Sepse këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me fatin e një individi, por me Bashkinë e Tiranës, një institucion që menaxhon fonde publike, tendera, kontrata, leje ndërtimi, investime dhe shërbime që prekin qindra mijëra qytetarë, ndaj pyetja për funksionimin e këtij institucioni nuk mund të mbetet peng i fatit të një politikani.
Dhe pikërisht këtu paradoksi bëhet edhe më i madh, sepse njeriu që vazhdon të mbajë mandatin e kryetarit të këtij institucioni nuk është thjesht në burg, por përballet edhe me një dosje të rëndë penale të ngritur nga SPAK, i cili e ka dërguar për gjykim çështjen ndaj Erion Veliajt, duke renditur një seri akuzash ku pjesën kryesore e përbëjnë nëntë raste të korrupsionit.
Sipas akuzave së prokurorisë, në këto episode Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dyshohet se kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse që, sipas SPAK-ut, kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës. Po sipas akuzës, Veliaj, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, ka firmosur shpërndarjen e fondeve që më pas dyshohet se kanë përfunduar te organizata, shoqëri dhe persona të lidhur me bashkëshorten e tij apo me rrethin e tij të afërt.
Përveç korrupsionit pasiv, ndaj tij janë ngritur edhe akuza që lidhen me pastrimin parave, shpërdorimin e detyrës, mosdeklarimin apo deklarimin e rremë të pasurive.
Çfarë po pret Edi Rama? Kjo është pyetja që duhet të bëhet sot, sepse nëse kryeministri po pret që gjykata të japë një vendim përfundimtar mbi fajësinë e Veliajt, atëherë duhet shpjeguar se çfarë lidhjeje ka vendimi përfundimtar i një procesi penal me faktin se Tirana ka nevojë për një kryetar bashkie që të jetë realisht në detyrë dhe të mbajë përgjegjësinë publike për drejtimin e qytetit.
Kjo nuk është çështje drejtësie, sepse drejtësia duhet të vendosë nëse Veliaj është fajtor apo i pafajshëm, por është çështje qeverisjeje dhe përgjegjësie politike, sepse Bashkia e Tiranës nuk mund të drejtohet nga një person që fizikisht ndodhet pas hekurave dhe njëkohësisht të pretendohet se kjo nuk krijon asnjë problem institucional.
Edi Rama nuk mund të fshihet pas SPAK-ut dhe gjykatave duke thënë se për gjithçka duhet të flasë drejtësia, sepse SPAK-u nuk drejton Bashkinë e Tiranës, gjykata nuk drejton Bashkinë e Tiranës dhe prokurorët nuk duhet të vendosin se kush duhet të jetë kryetar bashkie. Kjo është përgjegjësi e politikës dhe e strukturave politike që kanë mbështetur dhe kanë promovuar një figurë si Erion Veliaj.
Veliaj ishte një nga figurat më të rëndësishme të pushtetit të Ramës, ndaj sot nuk mjafton që kryeministri të thotë se duhet të flasë drejtësia, sepse drejtësia po bën punën e saj, gjykatat po vendosin dhe SPAK-u ka hetuar, ka ngritur akuza dhe e ka dërguar çështjen për gjykim.
Ajo që nuk mund të vazhdojë pafundësisht është heshtja, sepse një kryebashkiak nuk mund të jetë i pranishëm vetëm në dokumentet e bashkisë, pasi Bashkia e Tiranës nuk është pronë private e Erion Veliajt.
Tirana nuk është peng i Veliajt
Erion Veliaj ka të drejtë të mbrohet, të kundërshtojë akuzat dhe të pretendojë pafajësinë e tij, ndërsa gjykata ka detyrën të vendosë mbi përgjegjësinë penale, por Tirana ka nevojë për t’u qeverisur, për të pasur një drejtim institucional që është realisht në funksion dhe për të pasur një kryetar që mund të dalë përballë qytetarëve dhe të mbajë përgjegjësi publike për vendimet që merren dhe për mënyrën se si përdoren paratë e tyre.
Mbi të gjitha, nuk mund të pranohet si normale që një njeri që përballet me një dosje ku SPAK-u ngre akuza për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe përfitime të dyshuara të lidhura me fonde publike e leje ndërtimi, të vazhdojë të mbajë mandatin sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Erion Veliaj mund të presë drejtësinë dhe të mbrojë veten përballë akuzave, por Tirana nuk mund të presë pafundësisht dhe Edi Rama nuk mund të vazhdojë të sillet sikur kjo situatë nuk është edhe një çështje e përgjegjësisë së tij politike.
Sepse në fund, pyetja nuk është nëse gjykata duhet të dënojë apo të shpallë të pafajshëm Erion Veliajn, por nëse një kryeqytet mund të drejtohet normalisht nga një kryetar që ndodhet në burg.