Reforma zgjedhore rikthen pazaret PS–PD: Mazhoranca pranon sistemin e propozuar nga opozita, por me ulje të numrit të deputetëve

Në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vazhdojnë të përplasen publikisht me akuza të ashpra, duke dhënë idenë se kemi të bëjmë me dy krahë që nuk do të bien kurrë në dakordësi me njëra tjetrën.

Por historia politike shqiptare ka treguar shpesh se përtej skenës së debatit publik, kur bëhet fjalë për përfitime personale dhe ndarjen e pushtetit, dy forcat e mëdha e gjejnë shumë shpejt gjuhën e përbashkët.

Kjo duket se po ndodh edhe në bisedimet për Reformën Zgjedhore, ku dy partitë e mëdha po shkojnë drejt gjetjes së gjuhës së përbashkët, ku pritet që të ndryshojnë edhe Kushtetutën për të konsoliduar edhe më tepër pozitat e tyre dhe për të “vrarë” partitë e vogla.

Partia Demokratike ka propozuar ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar me lista të hapura, teksa edhe Partia Socialiste duket se është e gatshme të ulet për negociata.

Sipas bashkëkryetarit socialist të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, një ndryshim i tillë prek Kushtetutën, ndaj të dyja palët duhet të ulen dhe të bien dakord, por me një kusht, që të ulet edhe numri i deputetëve, siç ka paralajmëruar edhe kryeministri Edi Rama.

Çdo ndryshim në sistemin zgjedhor kërkon ndryshim në Kushtetutë. Do të thotë që ne pranojmë të ulemi ta shqyrtojmë, duke marrë në konsideratë edhe propozimet tona, se në fund të fundit edhe mazhoranca ka të drejta të barabarta. Kjo është çështje e sovranitetit politik dhe, siç thashë, është dëshirë e forcave kryesore politike.

Nëse ata do të duan ndryshim të sistemit zgjedhor dhe kanë dalë me këtë propozim që kërkon prekjen e Kushtetutës, edhe ne mendojmë se ka ardhur momenti të ngrihet një komision ku të shqyrtohet edhe propozimi ynë për uljen e numrit të mandateve në Kuvend, dhe patjetër gjithçka tjetër që lidhet me gjithë atë superstrukturë kushtetuese që ka vendi.”, tha Gjiknuri në një intervistë për Top Channel.

Pra, PD duhet të pranojë uljen e numrit të deputetëve, në mënyrë që edhe mazhoranca të pranojë sistemin proporcional kombëtar, që do të thotë se do të kemi të bëjmë me një pazar mes dy partive të mëdha për Kodin e ri Zgjedhor.

Për sa i përket partive të vogla, deri më tani në media raportohet se “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapaj dhe LZHK kanë rënë dakord me propozimin e PD-së, ndërsa Partia Mundësia e Agron Shehajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e këtyre marrrëveshjeve.

Disa muaj më parë, kryeministri Rama propozoi që numri i deputetëve të ulej në 101, nga 140 që janë aktualisht.

Por, sipas ekspertëve, kjo nismë nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e kryeministrit për të “vrarë” partitë e vogla, që treguan edhe në zgjedhjet e 11 Majit se kanë fituar një mbështetje të madhe të qytetarëve që janë lodhur nga të njëjtët njerëz në pushtet prej më shumë se 30 vitesh.

Në 11 Maj, partitë e vogla dhe të reja morën më shumë se 170 mijë vota, ose pak më tepër se 10%, duke arritur të nxjerrin 4 mandate deputetësh.

Por, nëse Kuvendi i Shqipërisë do të kishte vetëm 101 deputetë, kjo do të thotë se mundësia e përfaqësimit për partitë e vogla do të ishte reduktuar ndjeshëm. Në një sistem të tillë, partitë e vogla, që tashmë kanë vështirësi për të siguruar një numër të mjaftueshëm votash për të hyrë në Kuvend, do të përballeshin  edhe me një pengesë shumë më të madhe për të qenë pjesë e politikës.

Pra, ajo që do të tentohet të hidhet në publik si një marrëveshje mes dy partive të mëdha për Kodin e ri Zgjedhor në “përputhje” me rekomandimet e OSBE/ODIHR, nuk do të jetë asgjë tjetër veçse pazari i radhës PS-PD, për të ruajtur pushtetin e tyre dhe për të larguar partitë e vogla nga skena politike.