Dhuna në Parlamentin e Kosovës, reagon Rama: S’më duhet kush hodhi shishen i pari! Ishte një turp që i bën dëm shtetit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për dhunën e ushtruar sot në Parlamentin e Kosovës, ku deputetë të opozitës tentuan të godasin kryeministrin Albin Kurti.

Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se ky ishte një turp që i bën dëm vetëm Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve, teksa shton se opozita duhet të distancohet nga veprime të tilla.

“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës”, shkruan Rama.

Por pas këtij postimi ai ka bërë edhe një tjetër reagim, ku thotë se i kanë shkruar shumë miq nga Kosova, duke e “kritikuar” që ka mbrojtur Albin Kurtin. Në këtë reagim, kryeministri thotë se nuk i intereson se cili ka goditur i pari me shishe, por problem është me demokracinë në Kosovë.

Postimi i Ramës:

Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë!

Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme.

Dhe si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj, unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë