Bashkëshorti i Olta Xhaçkës në SPAK, padia: Si Artan Gaçi u bë INVESTITOR STRATEGJIK pasi tjetërsoi 5500 metra tokë në Gjilekë të Himarës

Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka është paraqitur ditën e sotme në zyrat e Prokurorisë së Posaçme.

Ai është kallëzuar nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, së bashku me Olta Xhaçkën, ish-kryebashkiakun Jorgo Goro dhe disa pronarë tokash për tjetërsimin e 5500 metrave tokë në Gjilekë të Himarës.

Në objekt-padi Beleri thotë se nëpërmjet një Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi, kanë rrjedhur përfitime të padrejta pasurore për trashëgimtarin e tokës dhe personave të tretë.

Por si e tjetërsoi Artan Gaçi tokën në Gjilekë, ku më pas fitoi edhe statusin e investitorit strategjik?

Sipas padisë, trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli kishin trashëgimi 1000 metër tokë, por duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, e kanë shtuar tokën e tyre edhe me 4500 metra të tjerë në Gjilekë dhe ia kanë shitur Artan Gaçit.

Gjithçka është bërë edhe me nënshkrimin e ish-kryebashkiakut Jorgo Goro, i cili ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi.

Pas të gjitha këtyre veprimeve të kundraligjshme, Artan Gaçi mundi të përfitonte statusin e investitorit strategjik. Ndërkohë, në kundërshtim me ligjin është edhe Olta Xhaçka, pasi Gaçi e ka përfituar statusin në kohën kur ajo ishte Ministre e Jashtme. Xhaçka, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë.

Beleri e akuzon Jorgo Goron se ka falsifikuar dokumentet, ka shpërdoruar detyrën, akuzë kjo e fundit që e ka ngritur edhe për ish-Minstren e Mbrojtjes, Xhaçka. Për bashkëshortin e kësaj të fundit, së bashku me trashëgimtarin e tokës, Beleri krahas falsifikimit të dokumenteve, i akuzon edhe për veprën penale të Pastrimit të Parave”.

Nëse SPAK zbulon se pretendimet e ngritura nga Beleri janë të vërteta, ish-ministrja Xhaçka, tashmë deputete e Partisë Socialiste, nuk do të humbiste vetëm postin, por së bashku me bashkëshortin Artan Gaçi, ish-kryebashkiakun Goro dhe persona të tjerë të përfshirë në tjetërsimin e pronave do të rrezikonin edhe dënimin me burg.