Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e Memollës, mbetet në fuqi dënimi me 1 vit burg 

Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Vendimi u dha nga Genti Shala relator, me anëtarë Ilir Panda dhe Albana Boksi.

Në 9 shkurt të këtij viti, Memolla u dënua me një vit burg nga Apeli i GJKKO, i akuzuar për korrupsion zgjedhor.

Memolla u mor i pandehur nga SPAK pas një audio-përgjimi ku tregohej sesi paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve në këmbim të votave në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022.

Sipas prokurorisë nga hetimet është provuar se Memolla, në zgjedhjet e parakohshme të 6 marsit, ndikoi tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij.