Banorët e fshatit Kaçinar në Mirditë janë mbledhur para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës për të portestuar kundër ndërtimit të hidrocentralit në zonën e tyre.
Me pankarta në duar, ku shkruhej Uji është jetë, mos na e thani shpirtin”, ata i kanë bërë thirrje ministres Belinda Balluku të mos lejojë ndërtimin e HEC-it, pasi do të kishte pasoja të rënda për banorët dhe për kafshët që ndodhen në atë zonë.
“A e dinë firmëtarët specialistë që jeta ndërtohet nga uji? Nëse uji do të futet në tuba të mbyllur ku do të pijnë ujë kafshët e egra dhe jo vetëm. Duhet pasur parasysh efekti që ka ky HEC.
Ne do të qëndrojmë të bashkuar në mbështetje të tokave dhe pronave tona. Edhe shteti mbrohet nga sulmuesit e jashtëm! Ne do të mbrohemi për fëmijët tanë”, tha njëri prej tyre.
Një tjetër banor denoncoi se po kërcënohen nga disa grupe njerëzish të lidhur me pushtetin, të cilët u kërkojnë të largohen nga vendbanimet e tyre.
“Nuk jemi dëgjuar dhe nuk kemi gjetur zgjidhje. Kemi ardhur këtu të ngremë zërin për pasuritë tona si uji dhe bjeshkët tona. Populli ka jetuar me shekuj atje falë natyrës e Zotit që na dha ujë dhe toka pjellore. Disa grupe të errëta në bashkëpunim me pushtetarë duan të na vjedhin pasurinë tonë më të çmuar, ujin. Pa të nuk ka jetë. Duan të na lënë si peshku në rërë, të braktisim vendbanimet tona. Po na kërcënojnë”, tha ai.