Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se Rama e ka anuluar takimin zyrtar me qeverinë e Kosovës, me urdhër të Vuçiç. Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha dënon këtë akt që si pas tij është një sanksion ndaj shtetit të Kosovës.
“Ky vendim për anulimin e mbledhjes si hakmarrje për hedhjen poshtë nga qeveria dhe forcat politike të Kosovës të draftit të tij të marrë në sirtaret e Beogradit, dëshmon së çfarë është i gatshëm të bëjë ky njeri për serbomadhin Vuçiç, por dhe lëkurën e tij, pasi është në hetim penal për aferën McGonigal, korruptimin e ish shefit të kundërinteligjencës së Neë Yorw-ut në kohën kur ai ishte në detyrë”, theksoi Berisha në deklaratë.
Berisha u shpreh se, “javë më parë dosja shqiptare e McGonigal me personazhë kryesorë Ramën dhe bashkëpuntorët e tij u bashkua për shkak të lidhjeve me dosjen ruse”.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktin e ndërhyrjes brutale të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës dhe i bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos harrojë se Edi Rama në këtë sherr më qeverinë e Kosovës mbron interesa personale dhe se që nga ardhja e tij në pushtet ai është protagonist kryesor i projekteve të Serbisë së Madhe dhe ndarjes së Kosovës me Aleksandër Vuçiç”, tha Berisha.
Berisha i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të bëjnë çdo përpjekje për ç’tensionimin e situatës dhe rikthimin në axhendën e marrëveshjes së Ohrit dhe zbatimin e saj si interesi më i mirë i Kosovës, por edhe paqes dhe stabilitetit në rajon.