Evis Sala tregon arsyet e dorëheqjes si Ministre e Shëndetësisë

Ish-ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala ka bërë një reagim publik pas dorëheqjes nga detyra që mori një vit më parë, duke treguar edhe arsyet.

Në një postim në rrjetin X, Sala shkruan se ka pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion.

Ndërkohë shton se në një vit që ajo ka mbajtur detyrën e ministre, janë bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi.

“Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur. Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar”- shkruan mes të tjerash Sala ne reagimin e saj.

Reagimi i plote:

Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion.

Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi. I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë. Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh.

Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur. Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar. Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!