Përshkallëzohet konflikti SHBA-Iran, Teherani godet bazat amerikane në Lindjen e Mesme

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, në shkëmbimin më të madh të goditjeve që prej muajit korrik. Forcat amerikane goditën objektiva në jug të Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj bazave amerikane në disa vende të Lindjes së Mesme.

Ushtria amerikane deklaroi se sulmet kishin në shënjestër mbrojtjen ajrore, radarët, asetet detare, pajisjet për vendosjen e minave dhe qendrat e komunikimit. Irani raportoi goditje pranë ngushticës së Hormuzit.

Teherani pretendoi se kishte goditur objektiva amerikane në Bahrein, Jordani, Kuvajt dhe Irak, duke paralajmëruar se përgjigjet ndaj pranisë ushtarake amerikane në rajon do të jenë edhe më të fuqishme. SHBA, megjithatë, tha se nuk kishte raportime fillestare për viktima mes forcave amerikane.

Ndërkohë, autoritetet iraniane akuzuan SHBA-në se një prej sulmeve goditi një dasmë në provincën e Sirit, duke shkaktuar katër viktima, mes tyre edhe një fëmijë katërvjeçar, si dhe dhjetëra të plagosur. Uashingtoni mohoi se ushtria amerikane synon civilët, ndërsa Reuters theksoi se nuk ishte në gjendje ta verifikonte në mënyrë të pavarur incidentin.

Situata është tensionuar edhe në ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës. Irani deklaroi se dy cisterna ishin goditur nga mina, ndërsa një kompani saudite e transportit njoftoi se dy anëtarë filipinas të ekuipazhit humbën jetën në një incident në këtë zonë.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA-ja ka një pozicion më të favorshëm në rajon, ndërsa Uashingtoni po shqyrton edhe masa të reja ekonomike kundër Teheranit.

Përshkallëzimi i fundit ka rikthyer frikën për një konflikt të gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa të dyja palët vazhdojnë të shkëmbejnë kërcënime për goditje të tjera.