Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në ambientet e Vilës së Kuqe në Sauk.
Në fokus të mbledhjes ka qenë organizimi i aksionit politik “Ora e Pranisë Besnike”, përmes të cilit socialistët synojnë të intensifikojnë kontaktet me qytetarët në terren.
Sipas raportimeve, drejtuesit politikë kanë paraqitur gjatë takimit planet dhe kalendarët e tyre të angazhimeve në bazë. Pjesë e axhendës janë takimet me banorët në zona të ndryshme të vendit, me qëllim evidentimin e problematikave dhe kërkesave të tyre.
Aksioni pritet të nisë që gjatë fundjavës, ndërsa në terren do të angazhohen deputetë dhe zëvendësministra, të cilët do të zhvillojnë takime të drejtpërdrejta me qytetarët.
Mbledhja e zhvilluar në Sauk vjen një ditë përpara një takimi tjetër të parashikuar në Pallatin e Brigadave. Të enjten, Rama pritet të mbledhë së bashku grupin parlamentar socialist dhe kabinetin qeveritar.