Referendumi i Islandës nuk është një pengesë e izoluar për kauzën pro-europiane. Ai është një tjetër kambanë alarmi për Bashkimin Europian, institucionet dhe liderët e tij politikë, të cilët duhet të përmirësojnë mënyrën se si komunikojnë me qytetarët.
Më 29 gusht 2026, votuesit islandezë kundërshtuan rifillimin e negociatave për anëtarësimin në BE, me 52.8 për qind të votave kundër dhe 47.2 për qind pro, në një proces me pjesëmarrje prej 82.5 për qind, sipas shifrave të raportuara nga transmetuesi publik islandez RÚV.
Pamundësia e kampit pro-europian në Islandë për të siguruar mbështetjen e shumicës erdhi kryesisht si pasojë e të njëjtave dobësi në komunikim që janë shfaqur edhe në raste të tjera: në refuzimin e Traktatit të Mastrihtit nga Danimarka në vitin 1992, në rrëzimin e Kushtetutës Europiane në Francë dhe Holandë në vitin 2005, në votën kundër Traktatit të Lisbonës në Irlandë në vitin 2008 dhe në Brexit në vitin 2016.
Në të gjitha këto referendume, qytetarëve iu kërkua të vendosnin për marrëdhënien e vendit të tyre me BE-në ose për drejtimin e ardhshëm të integrimit europian. Pavarësisht dallimeve politike mes këtyre rasteve, fushatat nxorën në pah dobësi të përsëritura në mënyrën se si forcat pro-europiane komunikojnë me publikun.
Liderët pro-europianë paraqitën argumente abstrakte dhe patën vështirësi të formulonin një mesazh që të mos tingëllonte elitist. Ata nisën të komunikojnë shumë vonë dhe u përqendruan së tepërmi te procedurat institucionale, të cilat pak njerëz i kuptonin, në vend që të adresonin shqetësimet reale të qytetarëve dhe të flisnin në një gjuhë që prekte edhe emocionet e tyre.
Në anën tjetër, kundërshtarët euroskeptikë ishin më të zëshëm, përdorën një gjuhë të thjeshtë dhe mesazhe të shkurtra, por emocionalisht të fuqishme, duke u përqendruar te sovraniteti, identiteti, kontrolli kombëtar dhe çështjet që preokuponin realisht njerëzit.
Edhe liderët kombëtarë pro-europianë kanë kontribuar në këtë problem, duke lejuar që Europa të kthehej në një “kokë turku”, një strategji që zakonisht lidhet me euroskeptikët. Ata nuk e kanë pranuar gjithmonë rolin e BE-së në nisma dhe arritje konkrete, ndërkohë që kanë lejuar që Brukseli të lidhet me vendime të papëlqyeshme.
Reputacioni i BE-së nuk mund të rindërtohet brenda natës dhe vite të tëra narrativash negative nuk mund të përmbysen gjatë një fushate të shkurtër para referendumit. Megjithatë, liderët pro-europianë shpesh presin deri në momentin e referendumit për të shpjeguar se çfarë bën Europa, ndërsa kundërshtarët e saj kanë kaluar vite duke e kritikuar atë.
Kur fushata më në fund nis, kampi “Po” duhet të shpjegojë dhe të mbrojë një projekt politik abstrakt, ndërsa kampit “Jo” i mjafton të mobilizojë frikën dhe të premtojë rikthimin e kontrollit nga Brukseli te institucionet kombëtare.
Vendosja e çështjeve komplekse të integrimit europian në referendum është një zgjedhje politike e guximshme, por edhe e rrezikshme, veçanërisht kur më parë nuk është krijuar njohuria dhe debati i nevojshëm publik.
Nuk mund të pritet që qytetarët të përvetësojnë detajet teknike të integrimit europian gjatë një fushate të shkurtër, dhe as nuk duhet ta bëjnë këtë. Në vend të kësaj, liderët politikë duhet të shpjegojnë se si zgjedhja lidhet me shqetësimet e qytetarëve, jetën e tyre të përditshme dhe të ardhmen e vendit.
Nëse referendumet duhet të përdoren për të vendosur mbi çështje kaq komplekse, kur ato nuk kërkohen domosdoshmërisht nga kushtetuta, është një çështje që mund të debatohet më vete. Por, në momentin që liderët politikë zgjedhin t’ua besojnë këto vendime drejtpërdrejt qytetarëve, ata kanë përgjegjësinë të sigurojnë që votuesit të kenë mundësi të marrin një vendim të informuar.
Rrëzimi i Kushtetutës Europiane në Francë më 29 maj 2005 dhe në Holandë tre ditë më vonë është një shembull i qartë se si një referendum mbi integrimin europian mund të shndërrohet në një votë për shqetësime shumë më të gjera kombëtare, kur argumenti pro-europian nuk komunikohet në mënyrë efektive. Votuesit francezë e rrëzuan tekstin me 54.7 për qind të votave, ndërsa në Holandë rezultati kundër ishte 61.5 për qind.
Debati u dominua nga çështje si emigracioni, sovraniteti, identiteti, pasiguria ekonomike dhe zgjerimi i BE-së. Në fund, shumica e qytetarëve gjykuan qeveritë e tyre kombëtare, më shumë sesa vetë tekstin e Kushtetutës Europiane.
Në Francë, referendumi u ndërthur ngushtë me pakënaqësinë ndaj politikës së brendshme, duke e bërë të vështirë ndarjen e votës për Kushtetutën nga qëndrimi ndaj qeverisë. Për shumë qytetarë, vota u shndërrua në një mënyrë për të ndëshkuar qeverinë.
Në Holandë, shqetësimet për ndikimin kombëtar dhe identitetin lanë në hije përmbajtjen e Kushtetutës. Elita politike pro-europiane nuk arriti ta përkthente tekstin kompleks institucional në një argument bindës dhe të lidhur me realitetin e qytetarëve holandezë.
Rezultatet treguan se informimi, në vetvete, nuk mjafton. Pa një lidership politik bindës dhe një mesazh që lidhet me shqetësimet e qytetarëve, rezultatin e përcaktojnë frikërat dhe preokupimet e tjera.
Në Irlandë, fushata kundër Traktatit të Lisbonës e lidhi atë me kërcënime ndaj taksave, të drejtave të punëtorëve, neutralitetit, shërbimeve publike dhe identitetit kombëtar. Më 12 qershor 2008, votuesit e rrëzuan traktatin me 53.4 për qind.
Kur votimi u përsërit më 2 tetor 2009, një fushatë “Po” më e organizuar dhe më bindëse kontribuoi në një rezultat krejt tjetër: 67.1 për qind votuan pro. Traktati nuk ishte bërë më i thjeshtë, por mënyra e komunikimit politik kishte ndryshuar.
Brexit-i tregoi sërish fuqinë e një mesazhi të shkurtër dhe emocional. Slogani “Take back control” (“Rikthejmë kontrollin”) përmblodhi në vetëm tri fjalë shqetësimet për sovranitetin, kufijtë dhe identitetin kombëtar.
Fushata “Remain” u përqendrua te rreziqet ekonomike të largimit nga BE-ja, duke përmendur rritjen më të ulët ekonomike, humbjen e vendeve të punës, uljen e investimeve dhe dëmtimin e tregtisë. Megjithatë, ajo pati vështirësi të shpjegonte me të njëjtën qartësi dhe forcë emocionale përfitimet e qëndrimit të Mbretërisë së Bashkuar në BE. Më 23 qershor 2016, kampi “Leave” fitoi me 51.9 për qind.
Referendumi në Islandë ishte një tjetër provë nëse BE-ja dhe liderët kombëtarë pro-europianë kishin mësuar se si të shpjegonin çfarë bën BE-ja, pse ka rëndësi dhe çfarë përfitimesh sjell për qytetarët. Rezultati tregoi se jo.
Qytetarët islandezë kundërshtuan rihapjen e negociatave të anëtarësimit, pasi fushata pro-europiane nuk arriti t’i bindte se përse edhe hapi i parë drejt anëtarësimit në BE do të ishte në interesin e vendit.
Fushata “Jo” ndërtoi një narrativë emocionale: Islanda duhet të mbrojë ujërat e saj të peshkimit, burimet natyrore dhe pavarësinë. Mesazhi lidhej drejtpërdrejt me historinë dhe identitetin e vendit. Ai u përcoll nga “Áfram Ísland” (“Përpara, Islandë”), një grupim i krijuar më 6 korrik 2026, në takimin themelues të të cilit foli edhe ish-presidenti Ólafur Ragnar Grímsson.
Nga ana tjetër, fushata “Po” përdori sloganin “Yes to see”, që pasqyronte karakterin procedural të referendumit, por nuk arriti të shndërrohej në një narrativë politike bindëse dhe të afërt me qytetarët. Slogani i përkiste organizatës SJÁ, e themeluar më 18 qershor 2026, e cila theksonte se fushata e saj synonte vetëm përfundimin e negociatave dhe jo anëtarësimin e Islandës në BE.
Grímsson e cilësoi sloganin si një truk publicitar pa përmbajtje, duke i thënë gazetës “Morgunblaðið” se gjithçka rreth BE-së tashmë dihej dhe se nuk kishte më asgjë për t’u parë.
Qytetarëve iu kërkua të mbështesnin një proces kompleks dhe abstrakt negociatash, pa pasur një kuptim të qartë se çfarë do të përfshinte ai. Ndërkohë, kundërshtarët e tyre ofruan një premtim shumë më të thjeshtë: ruajtjen e kontrollit kombëtar.
Qytetarët islandezë duhej ta dinin qartë se hapja e negociatave nuk do të nënkuptonte anëtarësim automatik në BE dhe se do të kishin sërish mundësinë të shpreheshin për çdo marrëveshje përfundimtare.
Por argumenti pro-europian nuk mund të ndalej vetëm te shpjegimi i procedurës. Ai duhej të tregonte gjithashtu se çfarë mund të fitonte Islanda dhe të adresonte më mirë shqetësimet rreth peshkimit, burimeve natyrore dhe sovranitetit.
Përmes Zonës Ekonomike Europiane, Islanda zbaton tashmë shumë prej rregullave të BE-së, pa pasur përfaqësues në Parlamentin Europian, pa të drejtë vote në Këshillin e Bashkimit Europian dhe pa një komisioner të saj.
Fushata “Po” humbi mundësinë ta përdorte këtë paradoks për ta paraqitur sovranitetin si aftësinë për të pasur një vend në tryezë, për të ndikuar në rregullat europiane që Islanda i zbaton tashmë dhe për të mbrojtur interesat kombëtare brenda vetë procesit europian të vendimmarrjes.
Mësimi që përsëritet në më shumë se tre dekada referendumesh për çështje të lidhura me BE-në është i qartë: Bashkimi Europian ka nevojë për një komunikim politik pro-europian më të hershëm dhe më efektiv, si nga liderët kombëtarë dhe europianë, ashtu edhe nga vetë institucionet e BE-së.
Informacioni për BE-në, i vetëm, nuk mjafton. Liderët politikë europianë dhe kombëtarë duhet të jenë në gjendje të dëgjojnë në mënyrë aktive, të adresojnë shqetësimet e qytetarëve dhe të shpjegojnë në mënyrë bindëse çfarë bën BE-ja, pse ka rëndësi dhe çfarë është në lojë.
Kryeministrja Kristrún Frostadóttir deklaroi se qeveria e saj nuk do t’i çojë përpara negociatat e anëtarësimit gjatë pjesës së mbetur të mandatit, i cili zgjat deri në vitin 2028. Ajo e cilësoi rezultatin si një fitore për demokracinë dhe jo si një pengesë.
Pyetja që mbetet tani është: A do ta shtypë sërish BE-ja butonin “snooze” dhe do të vazhdojë të ecë në gjumë drejt dështimit të radhës në komunikim?
Marrë nga Brussels Signal, përktheu dhe redaktoi në shqip, Media Ditari.